Një nga treguesit më të rëndësishëm të sektorit bankar, i lidhur me shëndetin financiar të bankave, ai i huave me probleme bruto ndaj totalit të huave, ka zbritur në nivelin më të ulët të dekadave të fundit, në gusht 2024.
Sipas të dhënave të publikuara sot nga Banka e Shqipërisë, 4.61% e totalit të kredive të dhëna nga sektori bankar, kategorizohen si NPL, ose kredi të këqija. Kjo, edhe marrë në konsideratë se stoku i kredive të sektorit bankar ka shënuar një rritje të ndjeshme, sidomos gjatë vitit 2023, por edhe në 8-mujorin e parë të këtij viti.
Sipas analizimit të të dhënave të Bankës së Shqipërisë nga Ekofin, rezulton që kjo shifër të jetë më e ulëta e të gjitha kohërave, që nga nisja e publikimit të një treguesi të tillë nga BSH, në mars të 2014 kur ishte 24.02%, e vlerësuar në atë kohë si një nga shifrat më e larta, që rrezikonte seriozisht të kolapsonte sistemin bankar në vend.
Trendi i kredive të këqija ka ardhur në ulje, duke arritur tashmë në gusht pikën më të ulët të të gjithave kohërave. Edhe treguesit e tjerë të ngjashëm, si huatë me probleme neto nga provigjonet ndaj kapitalit rregullator apo ndaj kapitalit aksioner, ka vijuar tendencën rënëse përgjatë këtij viti.
Edhe një sërë treguesit të tjerë të shëndetit financiar të bankave kanë shënuar përmirësim përgjatë këtij viti. Kështu, aktivet likuide ndaj totalit të aktiveve kanë arritur në 33.22%, një tregues që mat aftësinë e likuiditetit dhe të shlyerjeve në rast nevoje nga ana e sistemit bankar.
Edhe treguesit e tjerë të performancës si ROE dhe ROA, pra kthimi nga kapitali dhe kthimi nga aktivet me bazë vjetore, mbeten në nivele shumë të mira edhe në gusht, respektivisht 18.28% dhe 2.17%. Edhe në vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, në raportin më të fundit të stabilitetit financiar, sektori bankar paraqitet me tregues të mirë të kapitalizimit dhe shëndetshmërisë financiare. /ekofin.al
