Nga Luçiana Sharra, guidë turistike e certifikuar
Valbona, sikundër sugjeron edhe vetë emri, është nga ato destinacione që shpalos bukurinë dhe magjepsjen e saj të pakohë, prandaj çdo stinë është e duhura për ta vizituar. Në pranverë për gjelbërimin dhe aromën e pishave, lulet shumëngjyrëshe dhe zukatjen e bletëve, për lumin dhe burimet e shumta ujore; në verë për freskinë dhe çlodhjen; në vjeshtë për ngjyrat e arta dhe në dimër për madhështinë e maleve me dëborë dhe brizit të freskët të pakrahasueshëm.

Në Valbonë, nuk vizitoni thjesht një park kombëtar, me luginën e bukur rrethuar nga malet hijerënda dhe me shpellën e Dragobisë e të tjera si ajo, por një vend me tradita, me histori, me gojëdhëna e legjenda e me këngë kreshnikësh të kënduara me lahutë. Është vendi ku profesorët e Harvardit Milman Parry dhe Albert Lord, midis viteve 1935-1937, regjistruan këngët epike të maleve tona, të cilat iu bënë të njohura botës me titullin ‘The Lord Albanian Collection”.
Prandaj duhet të shkoni me mendje të hapur dhe të eksploroni sa më shumë, duke u bërë një me natyrën e me vendin e mrekullueshëm.

Nga Tirana, udhëtimi juaj vijon në drejtim të liqenit të Komanit.
Liqeni i Komanit është i rrethuar nga kodra të dendura të pyllëzuara, shpatet vertikale, gryka të thella dhe një luginë e ngushtë, e zënë plotësisht nga lumi Drin. Me çmime që variojnë nga 1500 lekë për pasagjerët deri në 5000 lekë në varësi të automjetit që keni, kjo është bileta juaj e lundrimit të lumturisë rreth 3 orë në liqenin e Komanit drejt Fierzës. I krahasuar nga revistat turistike si “Fjordet norvegjeze” është një përvojë që çdokush duhet ta provojë patjetër. Panorama e maleve të egra, të thepisura dhe shpendëve që fluturojnë mbi kokën tuaj, shkrihet në ujërat e liqenit dhe të dhurojnë një ndjesi magjepsjeje.

Rrugës për në Valbonë, ndalesa e parë panoramike është në kanionin e Shoshanit, me thellësi 40-50 metra, i rrethuar nga shpate mali të lartë e me bimësi të dendur. Në skajin veriperëndimor të fshatit Shoshan, pak më sipër Urës së t’Shtrejtit, ndodhen rrënojat e mureve të vendit që quhet “Gjyteti”. Mendohet se në kohëra të lashta ka rrëshqitur nga bjeshka një masiv shkëmbor që ka zënë brigjet e lumit. Aty ndodhet një shpellë gjigande e errët, ku sipas gojëdhënës rrinte kuçedra. Ura e t’Shtrejtit vjen si emër nga pozicioni i ngushtë që merr lumi Valbona. Mendohet se Gjyteti i përkiste mbretërisë dardane, vëllait të shtatë të Dardajve.

Me mbërritjen në Valbonë, një ndër shtigjet e para për t’u vizituar është ai që të çon te Liqeni i Xhemës. Në hyrje të luginës, buzë rrugës nacionale të asfaltuar, gjendet tabela orientuese. Shtegu kalon përmes pyllit të gjelbëruar në pranverë, por të artë në të kuqërremtë në vjeshtë. I rrethuar nga pisha, liqeni i vogël është një oaz i paqtë pushimi.
Më pas vjen mulliri i vjetër, i cili është përdorur dikur për bluarjen e misrit. Mulliri qëndron aty i heshtur dhe vetmitar, por në të vërtetë ai është një vend që mbart kujtesën shumëvjeçare të sa e sa historive dhe bisedave, të ndjenjave të thëna e të pathëna, ndërsa malësorët bluanin misrin, floririn e atyre maleve. Poshtë mullirit kalon lumi që pengohet nëpër gurët e bardhë të mëdhenj e vrapon me rrëmbim nëpër shtratin e tij.

Kudo ju shoqëron zhurma e ujërave të kristalta, që sipas vendasve është i përshtatshëm për t’u pirë nëse ka kaluar nëpër 300 gurë. Valbona krenohet me “Troftën e malit”, e cila është një nga peshqit e lumit nga më të rëndësishmit në rajon dhe vitet e fundit nën masa strikte për ta mbrojtur nga zhdukja dhe peshkimi i gabuar. Nuk mund të lini pa vizituar Ujëvarën e Rrogamit, vetëm 30 minuta largësi nga parku.
Për t’u argëtuar edhe më shumë do të ishte e këndshme të mësonit edhe lojërat popullore të zonës si “loja e kapuçave”, “dhelpna e zagari”, “rrasavija” etj. Në Valbonë do të shijoni gatimet tradicionale të mishit, pastërma, fli, speca me mazë, qervishi, rozhniku (qumështor i ëmbël ose i kripur) etj. Këtu jeni gjithashtu në vendin e duhur për të provuar mjaltin shumëlulesh apo mjaltin e gështenjës dhe të pishës sipas rastit.

Pas gjithë aktiviteteve në zonë, dita meriton të përmbyllet me pushim komod. Në mes të parkut ndodhet një vend ku tradita shkrihet me modernen me një pamje mbresëlënëse të natyrës përreth. “Valbona Resort and Spa” është autentik, mikpritës dhe bujar për t’ju bërë të ndiheni “miku i çmuar i maleve” dhe ju japim besën që gjumi juaj do të jetë i ëmbël. /ekofin.al



