Nuk ka ndryshime të mëdha sa i përket borxhit total ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) edhe për muajin gusht, krahasuar me periudhën e fundvitit të kaluar. Referuar të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, vlera totale e borxheve në gusht 2024 llogaritet në rreth 80.8 miliardë lekë. Në fund të vitit të kaluar, kjo shifer ishte rreth 80.9 miliardë lekë.
Ulja e lehtë krahasuar me fundvitit ka ardhur kryesisht nga shlyerjet e bëra nga konsumatorët familjarë, kjo edhe përmes marrëveshjeve të nënshkruara me OSHEE-në. Në këtë mënyrë, fatura e detyrimeve të familjarëve zbriti në 45.05 miliardë lekë në fund të gushtit, nga 45.4 miliardë që ishte në fund të vitit të kaluar.
Edhe bizneset i ulën më tej borxhet ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë, nga 11.69 miliardë lekë, në 11.26 miliardë lekë. Bie në sy se institucionet shtetërore e kanë rritur më tej borxhin e tyre ndaj OSHEE-së përgjatë këtij viti. Aktualisht, në fund të gushtit, ai llogaritet në 4.93 miliardë lekë për institucionet buxhetore dhe në 19.56 miliardë lekë për institucionet jobuxhetore.
Në fund të vitit të kaluar, detyrimet ishin respektivisht 4.83 miliardë dhe 18.96 miliardë lekë. Megjithë përpjekjet e bëra për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura disa-vjeçare ndaj OSHEE-së, sërish ato mbeten në nivele të larta. Madje fundi i vitit të kaluar shënoi edhe nivelin më të lartë të detyrimeve, që nga viti 2009, periudhë që përkon me privatizimin tek çekët e CEZ. /ekofin.al
