Fitimi i institucioneve financiare jobanka shënoi rënie në 6-mujorin e parë të vitit 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të gjitha institucionet financiare jobanka raportuan një fitim neto prej 1 miliardë lekësh në fund të muajit qershor, shifër ndjeshëm më e ulët sesa 3 miliardë lekë që kishin raportuar në fund të të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Aktualisht, në tregun financiar operojnë 40 institucione financiare jobanka, nga të cilat 25 subjekte janë institucione të kredisë, mikrokredisë, faktoringut, qirasë financiare, blerjes së kredive me probleme, etj., 5 janë institucione pagesash dhe 10 janë institucione të parasë elektronike.
Aktiviteti kryesor i këtyre institucioneve është ai kreditues, (37%), ndjekur nga shërbimet e pagesave dhe transfertave (31%), si edhe paraja elektronike (20%). Në sistemin financiar, nën mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, operojnë gjithashtu 16 shoqëri të kursim-kreditit (ShKK) dhe një Union.
Totali i aktiveve të gjithë këtyre institucioneve arriti në 68 miliardë lekë në fund të 6-mujorit të parë, me një rritje prej 4 miliardë lekë.
Kredia dhënë individëve nga institucionet financiare jobanka ka pjesën më të madhe të portofolit, me 52%, ndërsa pjesa tjetër janë kreditë për bizneset. Gjithashtu, norma e kredive të këqija kundrejt totalit të portofolit shënoi përmirësim të mëtejshëm, duke zbritur në 12.8%, nga 13.3% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të njëjtin trend ndoqi edhe cilësia e portofolit të kredive të SHKK-ve, ku norma e kredive të këqija zbriti në 5.1%. Në portofolin e investimeve të SHKK-ve, peshën kryesore e zënë investimet në kredi (74%) dhe investimet në banka në formën e llogarive rrjedhëse (14%). Sektori që ka tërhequr pjesën më të madhe të financimit është sektori i bujqësisë (21%), i ndjekur nga sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë (16%).
Së fundmi, Banka e Shqipërisë miratoi një rregullore që synon kufizimin e kreditimit për institucionet jobanka, e cila do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025. Aktorët e tregut presin që kjo rregullore të ketë impakt me uljen e kreditimit nga këto institucione, për pasojë edhe me kufizimin e aksesit në financë për një pjesë të popullsisë. /ekofin.al
