Për herë të parë në histori u krye një operacion robotik në distancë transkontinentale për të hequr një tumor në veshka. Lajmi u bë i ditur nga Fondacioni “Puigvent” i Barcelonës, i cili njoftoi përfundimin me sukses të operacionit.
Kirurgu që kreu operacionin është Alberto Breda, mjek italian, drejtues i Urologjisë Onkologjike dhe anëtar i ekipit kirurgjik të transplantit të veshkave të fondacionit spanjoll.
Breda operoi në distancë një pacient të vendosur në Pekin të Kinës, ndërsa ishte në auditoriumin e Bordeaux për të marrë pjesë në takimin e 21-të vjetor të Shoqatës Evropiane të Urologjisë (Eau), të cilën ai e drejton si president.
Pacienti, një burrë 37-vjeçar me tumor në veshka 3.5 centimetra, u shtrua në spitalin e përgjithshëm PLA në Pekin. Ndërhyrja u krye me ndihmën e sistemit robotik Edge, me të cilin Breda kontrollonte krahët robotikë në distancë nga një tastierë. Pavarësisht distancës, koha e vonesës në transmetimin e komandave ishte vetëm 132 milisekonda. Pacienti doli nga spitali të nesërmen dhe po vijon trajtimin mjekësor.
Një nga sfidat më të mëdha që u ndesh në ndërhyrje ishte vonesa e shkaktuar nga distanca e gjatë. Siç theksohet nga Fondacioni “Puigvent”, zhvillimi i rrjeteve të telekomunikacionit, veçanërisht i rrjeteve 5G dhe fibrave optike, do të jetë vendimtar për të ardhmen e telekirurgjisë. Evolucioni dhe përshtatja e sistemeve robotike përfaqëson një tjetër faktor kyç në përmirësimin e efikasitetit të këtij lloji shërbimi.
Në përfundim të operacionit, doktor Breda u shpreh i kënaqur me rezultatin e marrë, duke e cilësuar operacionin si një moment historik. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe nënvizoi se kjo arritje tregon diversitetin në praktikën e mjekësisë moderne.
