Rritja e tregut të sigurimeve është ngadalësuar në muajin gusht, pasi kishte rikuperuar nisjen e ngadaltë të muajve të parë të vitit, me një rritje të mirë gjatë muajve qershor e korrik. Shkak kryesor për këtë ka qënë zhvlerësimi i mëtejshëm i euros që ka sjellë ndikime direkte në të paktën 4 produkte sigurimi dhe thuajse ka neutralizuar rritjen e Kartonit Jeshil. Sipas të dhënave të raportuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-gusht 2024 arritën në rreth 16.35 miliardë lekë, ose 6.64% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Rritja në qershor ose në korrik arriti në 7.5%. Gjithsesi, rritja vijon të jetë konstante sa i përket kontratave të reja të lidhura në sigurime. Kështu, për 8-mujorin e parë të këtij viti u lidhën 1,051,878 kontrata, ose 8.32% më shumë sesa vjet.
Katër produkte raportuan rënie në gusht, që vlerësohet si një nga muajt me frekuencës më të lartë të udhëtimeve, sigurimi i shëndetit në udhëtim, i cili është 100% produkt në euro (me peshë të vogël specifike në totalin e primeve të tregut), polica kufitare (edhe ky një produkt në euro), sigurimi i përgjegjësisë civile dhe sigurimi i përgjegjësisë në ndërtim (dy produkte që janë në euro ose në lekë, sipas kërkesave).
Tregu mbetet i orientuar te sigurimet Jo-Jetës, që zotërojnë thuajse 92% të primeve, ndërkohë që sigurimet e jetës zotërojnë pjesën tjetër dhe aktiviteti i risigurimit është në shifra shumë të ulëta. Gjithashtu sigurimi i detyrueshëm dhe në veçanti ai TPL mbetet dominues, me rreth 60% të tregut, ndërsa pjesa tjetër e primeve janë të sigurimit vullnetar, por edhe këtu një pjesë, siç është sigurimi i jetës, bëhet gjithmonë për efekt kredie, pra është një kusht që kërkohet nga bankat.
Edhe pse ka një ngadalësim sa i përket primeve të arkëtuara, sërish shoqëritë po paguajnë një numër të konsiderueshëm dëmesh. Kështu për janar-gusht 2024 janë paguar rreth 5.6 miliardë lekë dëme, ose 29% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Për shkak të specifikës së tregut, pjesa më e madhe e dëmeve janë paguar në sigurimin motorik, mbi 4 miliardë lekë, ose rreth 30% më shumë se vjet. /ekofin.al
