INSTAT publikoi të dhënat e rishikuara për PBB-në, duke sjellë një sërë ndryshimesh për aktivitetin ekonomik dhe kontributet e sektorëve për rritjen ekonomike, nga viti 2018 deri në vitin 2023. Bazuar në këto rishikime, ekonomia në vitin e kaluar u rrit me 3.94% nga 3.45% që ishte vlerësimi i mëparshëm. Por si kanë kontribuar sektorët e ekonomisë në rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit të kaluar.
PBB me çmime korrente në vitin 2023 u vlerësua 2,369,906 milionë lekë. Përsa i përket strukturës së PBB-së, sipas aktiviteteve ekonomike, peshën më të madhe në ekonomi për vitin 2023 vazhdojnë ta zënë Shërbimet gjithsej me 47,96%, duke shënuar një rritje në terma realë me 8,26%.
Industria dhe Ndërtimi përbëjnë 23,03% të PBB-së. Por nëse ndërtimi ka vijuar rritjen edhe për vitin 2023, që ka pasur edhe rritjen më të fortë me 8,48%. Në anën tjetër, industria vijon të jetë në vështirësi, duke zbritur me 2,37%.
Bujqësia, gjuetia, pyjet dhe peshkimi përbëjnë 16,22% të PBB-së dhe ato kanë shënuar sërish rënie me 1,82% në terma realë.
Kontributin kryesor në rritjen në terma reale e kanë dhënë aktivitetet e ekonomisë “Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor” me 1,65 pikë përqindje, ndikuar kjo ka sezoni shumë i mirë turistik, që ka udhëhequr të gjithë sektorin e shërbimeve.
“Administrata publike, arsimi dhe shëndetësia” me 1,00 pikë përqindje, kjo për shkak të reformës së rritjes së pagave në administratën publike.
“Ndërtimi” me 0,98 pikë përqindje, i cili vijon të jetë një nga shtyllat kryesore po është mbështetur rritja ekonomike në vitet e fundit.
Sipas PBB-së me metodën e shpenzimeve, konsumi final përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi me 82.25%. Ky komponent u rrit me 8.73% në terma nominalë dhe 3.19% në terma realë. Konsumi final i popullatës zë 69.64% të konsumit final, i ndjekur nga konsumi i administratës publike me 12.05% dhe konsumi i institucioneve në shërbim të familjeve (NPISH-eng) me 0.57%. /ekofin.al
