Ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive dhe sektori financiar është paraqitur me qëndrueshmëri vitet e fundit.
Sipas të dhënave të fundit nga “Banka e Shqipërisë”, totali i kredisë ka arritur në 812.3 miliardë lekë në gusht të vitit 2024, me një rritje prej 12% krahasuar me gushtin e vitit 2023 dhe me 1.8% krahasuar me korrikun e vitit aktual.
Nëse do të analizohej në shifra absolute, rezulton se në harkun kohor të një muaji, kredia është shtuar me rreth 13 miliardë lekë, ndërsa në harkun kohor të një viti shënon një rritje prej 87 miliardë lekë.
Ndikimin kryesor të kësaj rritjeje e ka pasur zgjerimi i kreditimit të “Korporatave të tjera financiare”. Nga ana tjetër, edhe kredia për biznesin ka shënuar një rritje të konsiderueshme. Nga 447.4 miliardë lekë në korrik, ajo është shtuar me rreth 13 miliardë lekë në gusht, duke arritur në rreth 460.5 miliardë lekë ose 12.6% më shumë se e njëjta periudhë me vitin e kaluar.
Kjo rritje është mbështetur kryesisht nga një rritje e kredisë në valutë, të cilat kanë arritur në 248 miliardë lekë, nga 222,8 miliardë lekë, ndërsa kreditë në lekë kanë mbetur relativisht të qëndrueshme. Në një muaj kreditë në valutë u rritën me 5.9%, ndërsa kreditë në lekë regjistruan një rënie të lehtë prej 0.4%.
Kredia për korporatat jofinanciare publike ka pësuar një ulje të lehtë po ashtu, duke arritur në rreth 18 miliardë lekë në gusht 2024 nga rreth 19 miliardë që ishte në gusht 2023. Kjo ulje është reflektuar si në kreditë në lekë, ashtu edhe në kreditë në valutë.
