Pragu i regjistrimit të bizneseve në regjimin e TVSH-së mund të ndryshojë sërish. Në tetor të vitit 2020, Qeveria ndryshoi pragun e regjistrimit të bizneseve në TVSH, duke e rritur atë nga 2 milionë lekë në vit në 10 milionë lekë, shoqëruar kjo edhe me regjistrimin vullnetar në TVSH të tatimpaguesve me qarkullim 5-8 milion lekë, por jo më poshtë se 5 milion. Në atë rast, FMN kishte sugjeruar si vlerë shumën prej 8 milionë lekë në vit dhe ky mund të jetë një skenar që të merret parasysh këtë herë nga Qeveria.
Me rritjen e pragut të regjistrimit në TVSH deri në 10 milionë lekë në vit, rezulton se krahasuar me skemën e vjetër, dolën jashtë skemës së TVSH-së rreth 48 mijë tatimpagues me qarkullim të deklaruar 70.4 miliardë lekë me TVSH të llogaritur për shitjet 14 miliardë lekë dhe TVSH potencialisht për t’u paguar 3-4 miliardë lekë. Aktualisht janë të regjistruar vullnerarisht dhe paguajnë TVSH rreth 19 mijë subjekte që kanë qarkullimin nën pragun detyrues për regjistrim TVSH.
Në strategjinë afatmesme të të ardhurave, Financat theksojnë se nëse, çdo mall ose shërbim do të ngarkohej me normën standarde të tatimit, të ardhurat teorike nga TVSH-ja do ishin 367.6 miliardë lekë. Në fakt janë arkëtuar 191,4 miliardë lekë, ose 52,1% e shumës teorike. Diferenca 176,2 miliardë lekë që nuk arkëtohet i takon “shpenzimeve tatimore”, si dhe TVSH-së së humbur për shkak të nënraportimit, informalitetit dhe evazionit.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është burim kryesor dhe mjaft i rëndësishëm në strukturën e të ardhurave tatimore, duke siguruar rreth 8.7% të PBB-së në 10 vitet e fundit. Shqipëria aplikon TVSH me bazë të gjerë, me shkallë standarde 20% dhe dy shkallë të reduktuara 6% dhe 10%.
Financat rekomandojnë që në periudhën afatmesme, deri në vitin 2027, të eliminohen një sërë përjashtimesh nga ky tatim, ato që nuk kanë efekt dhe nuk realizojnë qëllimet për të cilat janë dizenjuar. Në këtë kuadër, Financat po ndërmarrin një analizë në dy drejtime, heqjen e përjashtimeve/shkallëve të reduktuara të tatimit, si edhe përfshirjen e sa më shumë tatimpaguesve në regjimin e TVSH-së.
Objektiv është që deri në vitin 2027, hendeku i TVSH-së të zvogëlohet me 0.92% e PBB-së, ose 23.5 miliardë Lek. Në lupën e tatimeve pritet të jenë sektorët si ndërtimi, turizmi dhe tregtia elektronike.
Në Shqipëri, 27% e bizneseve aktive subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin ose tatimit mbi fitimin janë pagues të TVSH. Në vitin 2023 janë 33,283 tatimpagues deklarues TVSH-je, ku pjesa më e madhe e tyre operojnë në sektorin e tregtisë me shumicë, tregtisë me pakicë, në sektorin e ndërtimi, akomodimit, bar-kafe dhe transportit.
Shqipëria aplikon normë relativisht të lartë të pragut për regjistrim TVSH, duke synuar lehtësimin e barrës administrative dhe asaj fiskale të tatimpaguesve të vegjël. Por, vlerësohet se aplikimi i një pragu të lartë të TVSH-së nxit nëndeklarimin e qarkullimit nga tatimpaguesit, me qëllim qëndrimin nën këtë prag. Nga tërësia e kontrolleve të administratës tatimore, kontrollet për TVSH përbëjnë edhe numrin më të lartë të kontrolleve. /ekofin.al
