Në vitet e fundit, ndërtimi ka qënë dhe mbetet edhe aktualisht promotori kryesor i rritjes ekonomike, për pasojë edhe aktivitetet ekonomike rreth tij janë shtuar, e bashkë me to edhe fitimet e gjeneruara prej tyre. Kështu, është rritur tregu imobiliar, ashtu si edhe të gjitha veprimtaritë që lidhen me ndërtimin, që ke aktivitetet e prodhimit të betonit, importi i hekurit, pllakat, mobiljet, etj.
Por edhe pse ka një rritje të qëndrueshme nga viti në vit të sektorit të ndërtimit, ashtu si edhe të çmimit të pronave, kryesisht në Tiranë dhe në bregdet, kjo duket se nuk është reflektuar mjaftueshëm në të ardhura në buxhetin e shtetit.
Në strategjinë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, të hedhur për konsultim public, theksohet se në fund të vitit 2023 rezultojnë 4.431 tatimpagues deklarues TVSH-je në këtë sektor, nga 7649 tatimpagues po në këtë sektor, të cilët janë deklarues në tatimin mbi fitimin ose tatimin e thjeshtuar mbi fitimin. Lidhur me TVSH-në e paguar nga ky sektor, ka një rritje me 25% në vitin 2023, krahasuar me vitin 2022.
Përsëri, Financat vlerësojnë në strategji se sektori i ndërtimeve është me risk të lartë sa i përket nëndeklarimit të TVSH-së. Kjo, për shkak se pjesa më e madhe e pagesave të TVSH-së bëhet nga tatimpaguesit me xhiro mbi 50 milionë lekë, që përbëjnë edhe 85% të totalit të pagesave.
Ndaj, propozohet hartimi i një plani të dedikuar për sektorin e ndërtimit dhe zinxhirin furnizues të tij, i cili ka si qëllim eliminimin e skemave të mashtrimit të TVSH-së në ndërtim, duke synuar rritje të TVSH-së së pagueshme. Për të arritur këtë qëllim, do të bëhet monitorimi i të gjithë zinxhirit furnizues së këtij sektori për të evidentuar të gjitha hallkat ku konstatohet rrjedhje e TVSH-së. /ekofin.al
