Në 6-mujorin e parë të vitit 2024, vihet re rritje e mëtejshme e kredidhënies, por edhe e numrit të aplikimeve për kredi. Banka e Shqipërisë njofton se në këtë periudhë ka patur një total prej 72,418 aplikimesh. Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e këtyre aplikimeve, rreth 25%, janë refuzuar nga bankat. Kjo normë e refuzimit tregon një rritje të kujdesit nga bankat në vlerësimin e kredive.
Numri total i aplikimeve për kredi të shqyrtuara nga bankat është rritur me 11.4%, një tregues se interesi për financim vazhdon të mbetet i lartë.
Një aspekt tjetër është rritja e normës së refuzimit nga bankat që ka mëma të huaja, të cilat duket se kanë rritur më tej kriteret e tyre për miratimin e kredive. Sipas të dhënave, bankat me kapital të huaj në Shqipëri kanë refuzuar një numër më të madh kredish krahasuar me ato me kapital vendas.
Pavarësisht vështirësive në sigurimin e kredive, është vënë re një rritje më e madhe e kërkesës për kredi nga bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat shprehin nevojën për financim për të mbështetur aktivitetin e tyre ekonomik. Megjithatë, përkundër kësaj tendence, vetëm 10% e aplikimeve për kredi i përkasin ndërmarrjeve, ndërsa 90% i përkasin individëve. Kjo ndarje tregon se, edhe pse bizneset kanë nevoja të mëdha financimi, individët vazhdojnë të jenë grupi kryesor i aplikuesve për kredi.
