Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rishikuar në rritje projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit. Në raportin e Perspektivës Ekonomike Rajonale të shtatorit, BERZH nënvizon se rritja në rajonin e Ballkanit Perëndimor pritet të përshpejtohet nga 2.5% në vitin 2023, në 3.7% në gjysmën e parë të vitit 2024. Projeksionet e BERZH janë për një rritje të ekonomive të Ballkanit Perëndimor me 3.4% në vitin 2024 dhe 3.7% në vitin 2025.
BERZH ka rishikuar për sipër pritshmëritë për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2024 dhe tashmë projekton një rritje me 3.5%, ose 0.2% më të lartë sesa në projeksionin e mëparshëm të majit, ndikuar nga një sezon i fortë turistik.
“Rritja ekonomike e Shqipërisë u përshpejtua në 3.6% në 3-mujorin e parë të vitit 2024, krahasuar me 3.4% që ishte në 2023. Kjo rritje u udhëhoq nga shërbimet dhe ndërtimi, ndërkohë që prodhimi industrial dhe bujqësor shënuan rënie. Kjo u reflektua edhe te shpenzimet, ku konsumi privat dhe investimet publike shënuan rritje të fortë, ndërkohë që eksportet pësuan rënie të fortë, ndikuar nga rënia me 30% e eksportit të mallrave, kjo edhe si pasojë e mbiçmimit të Lekut. Si pasojë, deficiti i balancës korrente u zgjerua, duke arritur në 7% të PBB-së, edhe pse pati rritje të mëtejshme të remitancave,” thekson në raport BERZH.
Inflacioni po vijon trendin rënës dhe brenda objektivave të Bankës Qendrore, duke zbritur në 2.1% në korrik, ndikuar kjo nga baza e lartë krahasuese e gjysmës së parë të vitit 2023 dhe mbiçmimi i monedhës vendase.
BERZH vlerëson se sektori financiar ishte i qëndrueshëm në gjysmën e parë të vitit 2024, me mjaftueshëm likuiditet, fitime të qëndrueshme, si edhe me rritje të aktivitetit kreditues.
Risqet që sipas BERZH rrezikojnë të pengojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë janë thatësira e tejzgjatur, që ndikon si në prodhimin e energjisë, ashtu edhe në bujqësi. Por në anën tjetër, implementimi i shpejtë i reformave strukturore, të mbështetura nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, mund të jenë shtysë për rritjen ekonomike. /ekofin.al
