Përgatitjet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës kanë nisur. Ky aks rrugor është një nga arteriet më të rëndësishme të vendit. Punimet kanë nisur nga “Kthesa e Kamzës” deri në “Qafë Kashar” dhe pritet të zgjasin dy vite. Kjo ndërhyrje do t’i kushtojë buxhetit të shtetit një faturë prej 298.8 milionë eurosh.
Në kuadër të këtij projekti, do të shtohen dy korsi për secilën anë, duke përmirësuar ndjeshëm fluksin e trafikut dhe duke ulur kohën e udhëtimit. Një lajm i mirë për përdoruesit e kësaj rruge është se korsitë ekzistuese nuk do të bllokohen gjatë punimeve, duke garantuar vazhdimësinë e qarkullimit.
Ky zgjerim pritet të sjellë përfitime të mëdha për qytetarët dhe bizneset, duke rritur kapacitetin e autostradës dhe duke lehtësuar lidhjet mes dy qyteteve kryesore të Shqipërisë. Autoritetet inkurajojnë të gjithë përdoruesit e rrugës të jenë të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe ndërtimi dhe të respektojnë sinjalistikën përkatëse./ekofin.al
