Banka e Shqipërisë ka përgatitur një set rregulloresh, jo vetëm për të kufizuar kredidhënie, por me sa duket edhe reklamimin e saj. Paralelisht me projektrregulloren “Për menaxhimin e riskut në institucionet financiare jobanka”, që forcon më tej rregullat e kredidhënies, Banka e Shqipërisë u ka dërguar institucioneve financiare, këtë herë edhe bankave, për konsultim projektrregulloren Për disa ndryshime në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”.
Ndryshimet e parashikuara në rregullore prekin tërësisht marketingut e produkteve bankare dhe financiare, si edhe reklamimin e tyre në median e shkruar, televizive ose online.
Në projektrregullore u kërkohet bankave dhe institucioneve financiare që përpara botimit ose publikimit të çdo forme të reklamës apo materialet promocional duhet të njoftohet Banka e Shqipërisë, e cila e shqyrton materialin brenda 15 ditëve pune dhe nëse e gjykon të papërshtatshëm mund ta kthejë për rishikim. Gjatë kësaj periudhe, institucioni financiar nuk mund të ecë përpara me fushatën e planifikuar publicitare.
Në dokumentin e ri, një nen i posaçëm i dedikohet mënyrës sesi do të realizohet marketimi i produkteve të kredisë. Në këtë rast, institucioneve financiare u kërkohet që në reklamat ose materialet promocionale për kreditë të përfshihet një paralajmërim i qartë dhe i dukshëm, me formulimin “Kujdes! Huamarrja e para kushton para”. Gjithashtu, më tej, duhet specifikuar gjithçka në materialin promocional që nga emri i institucionit, adresa, kontaktet, norma e interesit, komisioni, tarifat, vlera totale e kredisë, kohëzgjatja e kredisë, vlerën e kësteve dhe shumën totale të pagueshme nga konsumatori, etj.
Të njëjtat specifikime të detajuara duhet të realizohen edhe në rastin e fushatave publicitare që ndërmarrin bankat tregtare për depozitat.
Gjithashtu, përmes një neni të posaçëm, Banka e Shqipërisë parashikon në rregullore rastet kur mund të ndalohet prej saj marketingu i institucioneve financiare. Kështu, në reklama nuk mund të ketë shprehje si “rezultat i garantuar”, “banka më e mirë”, “kosto më e ulët”, “kosto zero”, “më e lartë/më e ulët/më e mira në treg”, “ne ju rimbursojmë”, “ne paguajmë për ju”, “ofertë” etj., ose çdo formulim tjetër që mund të krijojë përshtypjen për fitime/rezultate të sigurta apo për kosto të ulëta.
Projektrregullorja është aq e detajuar, saqë përcakton përmes një aneksi të veçantë edhe madhësinë e teksitit sipas llojit të materialit promocional. Projektrregullorja nuk është pritur mirë nga institucionet financiare, si nga ana e bankave, ashtu edhe institucioneve financiare jobanka, ndaj edhe të gjitha rezervat ato po i shprehin përmes komenteve për të realizuar ndryshime në draftin e propozuar. /ekofin.al
