Qëndrueshmëria është një koncept i gjerë dhe kompleks rreth së cilës hartohen politikat e gjelbëra me fokus mbrojtjen dhe zvogëlimin e ndikimit negativ në mjedis. Edhe Shqipëria po inkurajon një sërë nismash në këtë fushë, përfshirë edhe rishikimin e legjislacionit të taksave me natyrë ambientale. Por çfarë do të thotë një biznes i qëndrueshëm dhe si zbatohen kriteret e qëndrueshmërisë në një kontekst specifik?
Termat e mëposhtëm shtjellojnë konceptet dhe praktikat që duhet të ndjekin bizneset apo organizatat, jo vetëm në kuadër të mbrojtjes së mjedisit, por edhe të tërheqjes së investitorëve potencialë.
Përgjegjësia sociale e biznesit
Ky term i referohet përkushtimit etik dhe të qëndrueshëm, duke marrë parasysh ndikimin e saj në shoqëri, mjedis dhe ekonomi. Këtu mund të përfshihet zbatimi i praktikave të qëndrueshme të biznesit, reduktimi i gjurmës së karbonit të kompanisë, investime për zhvillimin e komunitetit, respektimin e të drejtave të punës, si dhe mbështetjen e kauzave sociale dhe mjedisore. Qëllimi i këtij koncepti është që kompania të krijojë një vlerë të përbashkët për të gjithë palët e interesuara dhe jo vetëm të rrisë fitimet.
Zero neto
Ky koncept zakonisht ngatërrohet me “neutralitetin e karbonit”. Në fakt ai i referohet balancës midis sasisë së emetimeve të gazrave serrë të prodhuar dhe sasisë së larguar nga atmosfera. Për të arritur zero neto, një organizatë ose vend duhet të reduktojë emetimet e saj sa më shumë që të jetë e mundur përmes strategjive të tilla si rritja e efikasitetit të energjisë, kalimi në burimet e rinovueshme të energjisë dhe përmirësimi i sistemeve të transportit. Çdo emetim i mbetur mund të kompensohet nëpërmjet aktiviteteve që largojnë dioksidin e karbonit nga atmosfera, të tilla si ripyllëzimi (përfshirë mbrojtjen kundër shpyllëzimit) ose kapjen dhe magazinimin e karbonit.
Marrëveshja e Parisit e vitit 2015 thekson urgjencën e arritjes së emetimeve neto zero. Qëllimi është të kufizohet rritja e temperaturës mesatare globale nën 2 °C mbi nivelet para-industriale, me një synim për të kufizuar rritjen në 1.5 °C për të zbutur efektet negative të ndryshimeve klimatike.
Neutraliteti i karbonit
Ky koncept do të thotë se emetimet neto të karbonit të një entiteti/kompanie të tërë janë zero, çfarë nënkupton se ka balancuar plotësisht prodhimin e karbonit, duke reduktuar sa më shumë që të jetë e mundur emetimet e saj dhe, më pas, duke kompensuar çdo emetim të mbetur nëpërmjet investimeve në projektet e reduktimit ose heqjes së karbonit. Sidoqoftë, neutraliteti i karbonit zakonisht llogarit vetëm emetimet e dioksidit të karbonit dhe mund të mos përfshijë gazra të tjerë serrë si metani, oksidi i azotit dhe gazrat e fluorizuar.
“Shpëlarja e gjelbër” (Greenwashing)
Është një taktikë marketingu e përdorur nga kompanitë për t’i bërë produktet ose shërbimet e tyre të duken më miqësore me mjedisin sesa janë në të vërtetë. Kjo shpesh përfshin pretendime mashtruese ose të ekzagjeruara në lidhje me përfitimet mjedisore të një produkti ose maskimin e ndikimit të tij negativ mjedisor.
Ekonomia rrethore
Ekonomia rrethore është një model prodhimi dhe konsumi i fokusuar në reduktimin e mbetjeve dhe ndotjes me në qendër ripërdorimin e shumëfishtë të një produkti.
Plotësisht e kundërta e një ekonomie lineare (e njohur edhe si ekonomia ‘merr → prodho → nxirr mbeturina’), në një ekonomi rrethore, burimet mbahen në përdorim për aq kohë sa të jetë e mundur dhe mbetjet minimizohen nëpërmjet strategjive të tilla si ripërdorimi, riparimi dhe riciklimi.
Matja e karbonit
Matja e karbonit është procesi i matjes dhe gjurmimit të emetimeve të gazeve serrë të një organizate/biznesi. Ai përfshin përcaktimin sasior të emetimeve të dioksidit të karbonit dhe gazrave të tjera serrë që prodhohen si rezultat i aktiviteteve të biznesit, duke përfshirë përdorimin e energjisë, transportin dhe proceset e prodhimit dhe ndihmon kompanitë të identifikojnë sektorët që duhet të monitorojnë.
Ekzistojnë disa standarde dhe protokolle të njohura të matjes të karbonit, duke përfshirë Protokollin e Gazit Serrë, ISO 14064 dhe Standardin e Mirëbesimit të Karbonit. Këto standarde ofrojnë udhëzime dhe metodologji për organizatat për të matur, raportuar dhe verifikuar emetimet e tyre të karbonit në një mënyrë të vazhdueshme e transparente.
Shtrirja e emetimeve
Kjo praktikë ka të bëjë me identifikimin dhe përcaktimin e shtrirjes ose kufijtë e emetimeve të gazrave serrë të një organizate, duke përfshirë burimet e emetimeve dhe aktivitetet që kontribuojnë në to. Është një hap thelbësor në matjen e gjurmës së karbonit të një organizate dhe zhvillimin e strategjive për të reduktuar emetimet. Përcaktimi i fushëveprimit të emetimeve zakonisht përfshin vlerësimin e emetimeve direkte dhe indirekte të lidhura me operacionet e një organizate, zinxhirin e furnizimit dhe aktivitetet e tjera përkatëse.
Termi “Mjedisor -Social – Qeverisje” (ESG)
Është një kriter që përdoret për të vlerësuar performancën e një kompanie në ndikimin e saj mjedisor, përgjegjësinë sociale dhe praktikat e qeverisjes së korporatës. Po merret gjithnjë e më shumë në konsideratë nga investitorët, pasi kompanitë që performojnë mirë në matjet e “ESG” konsiderohen më të qëndrueshme dhe fitimprurëse në terma afatgjatë.
Investitorët dhe palët e tjera të interesuara përdorin të dhënat dhe analizat e “ESG” për të marrë vendime të informuara në lidhje me investimin, huadhënien dhe partneritetin me kompanitë. Kriteret “ESG” mund të ndihmojnë gjithashtu kompanitë të identifikojnë fushat për përmirësim dhe të krijojnë praktika biznesi më të qëndrueshme dhe të përgjegjshme./ekofin.al
