Qeveria do të rishikojë taksat me natyrë ambientale, ku përfshihet taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe ajo e ambalazheve plastike. Kështu parashikohet në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave.
Rishikimi i taksave do të bazohet në studimin e kryer nga Ministria e Financave, në bashkëpunim me Bankën Botërore në vitin 2022, me fokus ruajtjen e mjedisit, si dhe rritje të të ardhurave në buxhet.
Të gjitha përjashtimet nga taksat dhe tarifat kombëtare do jenë objekt rishikimi periodik, duke vlerësuar efektivitetin dhe efikasitetin e tyre. Ka disa përjashtime të parashikuara në ligj, të cilat pjesërisht janë prezantuar me qëllim favorizimin e disa sektorëve prioritarë dhe pjesërisht me qëllim adresimin e problematikave me të cilat është përballur administrata tatimore. Sektorët prioritarë do të duhet të mbështeten qartësisht përmes transfertave direkte nga buxheti, në mënyrë që të jenë më të lehta për t’u monitoruar, ndërkohë që eliminimi i përjashtimeve nga pagimi i taksave, nuk cënon integritetin e sistemit tatimor.
Sa i takon taksës së plastikës, dokumenti specifikon se do të vlerësohet ndryshimi i saj kryesisht për ambalazhet plastike, duke qenë se janë hasur disa problematika në zbatim. Aktualisht, për artikujt plastikë dhe ambalazheve plastike të importuara aplikohet taksa në masën 35 lekë/kg, me përjashtim të lëndëve të para në forma primare. Taksa e lëndëve të para në forma primare, të importuara dhe që përdoren për prodhimin në vend të produkteve të plastikës aplikohet në masën 25 lekë/kg.
Draftstrategjia parashikon analizimin e nivelit të taksës së plastikës dhe inkurajim nëpërmjet mekanizmave tatimore për riciklimin e tyre. Gjithashtu, parashikohet mbështetje për regjimin e taksave ambientale nëpërmjet udhëzimeve sqaruese. Duke marrë në konsideratë edhe zhvillimet e fundit të turizmit, do të ishte veçanërisht e rëndësishme të sigurohen stimujt e duhur për ta mbajtur mjedisin të pastër. Ky objektiv është pasqyruar edhe në politikat e ndërmarra, siç është rasti i rishkimit të nivelit të taksës së karbonit për qymyrin, thuhet në dokument.
