Ndryshimet klimatike ngrenë alarmin e katastrofave natyrore. Autoritet në rajone të caktuara të Evropës po marrin masa për të përballuar dëmet kolosale që shkaktohen prej tyre. Midis zjarreve dhe përmbytjeve, toka, përfshirë edhe vendin tonë, nuk po gjen qetësi.
Sipas të dhënave të përditësuara nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje, përgjatë vitit 2024, Shqipëria është përballur me rreth 160 zjarre masive që kanë djegur afërsisht 46 mijë hektarë me pyje.
Ekspertët e pyjeve dhe studiuesit e natyrës thonë se zjarret masive të këtij viti pritet të rrisin rrezikun e përmbytjeve gjatë stinës së dimrit. Zjarret, që konsiderohen si më të mëdhatë e dekadës së fundit, kanë djegur në shumë zona mbulesën bimore, duke përshpejtuar erozionin dhe vërshimin e ujërave, thonë ekspertët vendas të pyjeve.
Sipas tyre janë të nevojshme ndryshime të menjëhershme në planifikimin dhe menaxhimin e situatës. Për këtë qëllim nevojitet një infrastrukturë teknologjike më e sofistikuar për zbulimin e zjarreve në kohë dhe mjete moderne për shuarjen e tyre. Gjithashtu, një aspekt i rëndësishëm është trajnimi profesional i stafit për përgjigjen e emergjencave në terren.
Shqipëria vlerësohet një vend me risk të lartë për t’u prekur nga katastrofat natyrore, kjo bazuar edhe në analizat dhe studimet e fundit të Bankës Botërore. Nëse pas një vere relativisht të thatë, edhe në vendin tonë pritet një vjeshtë me reshje, rreziku më i lartë për përmbytje vlerësohet në rajonin e Shkodrës e Lezhës, si edhe ultësirën perendimore.
