Qeveria pritet të rrisë më tej taksën e pronës, si edhe të rrisë mbledhjen e të ardhurave nga kjo taksë nga ana e bashkive. Në bazë të vlerësimeve të bëra, aktualisht kjo taksë mblidhet në masë të gjerë nga Bashkia Tiranë, e shpërndarë çdo muaj në faturën e ujit, ndërsa bashkitë e tjera në vend kanë përqindje më të ulëta të mbledhjes së taksës së pronës.
Edhe në strategjinë afatmesme për mbledhjen e të ardhurave 2024-2026 theksohet se parashikohet të rritet taksa e pronës. Aktualisht, taksa mbi pasuritë e paluajtshme në Shqipëri kontribon në masën 0.3% të PBB-së, ndërkohë që të ardhurat mesatare që gjenerohen nga taksa e pronës në vendet e tjera të rajonit janë rreth 0.8% e PBB-së.
Për këtë arsye, Qeveria synon që në fund të vitit 2027, e ardhura që u shkon bashkive të rritet të paktën deri në 0.5% të PBB-së. Planet e Qeverisë janë që taksa e re e banesës të nisë të aplikohet nga viti 2026, gjë që pritet të shtojë më tej detyrimet për qytetarët dhe bizneset.
Llogaritja e saj do të bëhet bazuar në çmimet e referencës që janë sot në fuqi, ndërsa niveli i taksimit nga 0.05 për qind, që është aktualisht do të variojë në 0.1 deri në 0.3 për qind.
“Reforma e fundit në fushën e taksës së pasurisë synon të rrisë të ardhurat për bashkitë, duke kaluar nga një sistem i taksimit të bazuar në vlerë për ndërtesat dhe një sistem i thjeshtë tatimor bazuar në sipërfaqen për tokën bujqësore dhe truallin, në një sistem taksimi modern që takson edhe ndërtesat edhe parcelat, bazuar në vlerën e tregut të këtyre pasurive të paluajtshme. Të gjitha pasuritë e paluajtshme të regjistruara do të vlerësohen në bazë të vlerës së tregut”, thuhet në dokumentin qeveritar.
Por taksimi në një formë të tillë do të kërkojë ngritjen e Kadastrës Fiskale, një projekt i kahershëm, i cili ende duket larg finalizimit, kjo edhe për shkak të problemeve të mbartura me regjistrimin e pronave, si edhe një kategori të gjerë të pronave informale. /ekofin.al
