Ministria e Financave synon të heqë diferencimet në nivelin e akcizës për prodhimin e verës. Pas unifikimit të akcizës për birrën, veprim që u prit me shumë kundërshti nga prodhuesit vendas, të cilët edhe e dërguan çështjen në Gjykatën Kushtetuese, tashmë thuajse e njëjta masë pritet të merret edhe sa i përket prodhimit të verës.
Në një nga masat e parashikuara në Strategjinë për mbledhjen e të ardhurave, theksohet se akciza e verës për prodhuesit e vegjël është rreth një e treta e normës së rregullt të akcizës që zbatohet për prodhuesit e mëdhenj. Niveli i akcizës për prodhuesit e mëdhenj nuk konsiderohet i nivelit të lartë dhe nuk ka gjasa që unifikimi i akcizës në nivelin e lartë, të krijojë problematika mbi operatorët dhe çmimet e shitjes së produkteve.
Përmes këtij objektivi, Ministria e Financave planifikon të unifikojë akzicës si për prodhuesit e mëdhenj të verës, ashtu edhe për të vegjëlit. Gjithashtu do të rishikohet sasia e pijeve alkoolike objekt akcize që trajtohen si vet konsum nga prodhuesit dhe nuk ngarkohen me akcizë, kjo kryesisht për rakinë dhe verën prodhim vendi.
Si pasojë e ndryshimit të politikave tatimore, në disa raste përmes rritjes së taksave, në strategji synohet që deri në vitin 2027 të mblidhen rreth 9.3 miliardë lekë më shumë në buxhet. Ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurave parashikohet të vijnë nga rritja e administrimit tatimor dhe doganor. /ekofin.al
