Përdorimi i pajisjeve elektronike dhe të komunikimit është i lidhur ngushtësisht me veprimtarinë personale dhe profesionale dhe gjithmonë në rritje.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2024, përdorimi i kompjuterit me akses në internet për qëllime pune përbën 99.3 % e ndërmarrjeve nga 99.1% krahasuar me vitin e kaluar. Po kështu është rritur edhe përqindja e atyre që kanë një specialist IT, me 29.7%. nga 28,4 % që rezultoi në vitin 2023.
Përqindja më e lartë e të punësuarve që përdorin kompjuter me akses në internet vërehet në aktivitetin e informacionit dhe komunikimit me 74,8 %, e ndjekur nga aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 65,7 % dhe shërbimet administrative dhe mbështetëse me 59,1 %.
Sipas të dhënave, ndërmarrjet, me më shumë se 250 të punësuar, përdorin 100 % kompjuter me akses në internet.
Po kështu rritje ka shënuar edhe përdorimi i lidhjes fikse në internet e cila përfshin lidhjet e tipit ADSL, SDSL, VDSL, fibër optike (FTTP), teknologji kabllore, me 99,3 % të ndërmarrjeve që e përdorin dhe me shpejtësi shkarkimi të informacionit më të lartë se 30 Mbit/s të regjistruar në 88,0 % të ndërmarrjeve. Shërbimet “cloud”, të cilat u referohen shërbimeve që përdoren në internet për të aksesuar programe kompjuterike, kapacitete ruajtëse, etj., janë përdorur nga 30,0 % e ndërmarrjeve që kanë akses në internet. Krahasuar me vitin 2023, përdorimi i këtyre shërbimeve ka shënuar 7,0 % rritje.
Në vitin 2024, 24,5 % e ndërmarrjeve kanë shitur produkte apo shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për tregti të produkteve, duke shënuar një rritje prej 9,7 %, krahasuar me vitin 2023.
Përllogaritur brenda të njëjtit aktivitet ekonomik, peshën më të madhe të tregtisë elektronike e zënë ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në fushën e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 45,3 %, pasuar nga aktivitetet e informacionit dhe komunikimit me 38,0 % dhe tregtia me shumicë dhe me pakicë me 36,2 %. /ekofin.al
