Shkenca mjekësore ka shumë për të thënë se si ndikohet shëndeti kardiovaskular nga çfarë ushqehemi. Yndyrnat, sheqernat, duhani dhe alkooli kanë qenë kryefjala e posterave informues në zyrat e kardiologëve tashmë prej disa dekadash.
Po shëndeti i gojës?
Ka vërtet një lidhje, thotë Dr. Andrew Waxler, kardiolog në Penn State Health Medical Group -Berks Cardiology. Në fakt, individët me infeksione dentare janë 2.7 herë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës si problemet koronare sesa njerëzit me gojë të shëndetshme, sipas studimit të kryer nga “Journal Dental Research”.
Megjithatë, se si lidhet shëndeti oral me atë të zemrës mbetet ende një mister.
Lidhja me valvulën e zemrës
Shkencëtarët e kanë konstatuar lidhjen midis shëndetit oral dhe një lloj problemi specifik të zemrës për një kohë të gjatë, tha Waxler.
“Ne e dimë prej vitesh që njerëzit që kanë infeksione në gojë – si kavitetet dhe probleme të tjera – janë në rrezik më të lartë për t’u prekur nga ajo që quhet endokardit”, tha ai. “Kjo është një mënyrë e zbutur për të thënë infeksion të valvulës së zemrës.”
Valvulat në zemrën tuaj ndihmojnë që gjaku të rrjedhë midis dhomave të saj pa kthim prapa. Një infeksion mund të shkaktojë një sërë simptomash, të tilla si gulçim dhe dhimbje gjoksi – dhe është potencialisht fatale. Rastet e lehta të endokarditit mund të trajtohen me antibiotikë intravenozë, por në disa raste mund të nevojitet kirurgji.
Dhe a mund ta merrni infeksionin nga dhëmbët?
“Njerëzit mund të marrin bakteret e streptokokut nga goja, që hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe zbresin dhe mbyllen në valvulat dhe shkaktojnë infeksion,” tha Waxler.
A mund të shkaktojnë atak kardiak problemet dentare?
Zbulimi më i fundit në shkencën mjekësore është se njerëzit me probleme dentare kanë një rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar probleme jo vetëm me valvulat e zemrës, por edhe me arteriet e tyre. Mund të bëhet një lidhje midis infeksioneve në gojë dhe forcimit të sistemit të qarkullimit që çon gjakun e pasur me oksigjen në organet tuaja vitale.
Ngurtësimi në arterie është kur ka një grumbullim të substancave yndyrore brenda mureve të këtyre enëve të gjakut, gjë që çon në një bllokim ose një atak në zemër.
Rastësisht, materiali që bllokon arteriet quhet pllakë – por është një lloj lënde krejtësisht i ndryshëm nga ai që mbulon dhëmbët tuaj dhe shkakton kavitete, tha Waxler. Ngrënia e shumë ushqimeve me sheqer sigurisht mund të çojë në probleme me zemrën, por jo në atë mënyrë. Faktori numër 1 i rrezikut për sëmundjet e zemrës është diabeti, tha ai.
Pra, cila është lidhja midis prishjes së dhëmbëve dhe bllokimeve arteriale?
Mjekët nuk janë ende të sigurt, por ata kanë teori, tha Waxler.
Teoria e parë: Bakteret që infektojnë mishrat e dhëmbëve dhe dhëmbët – shpesh është streptokoku, por mund të jenë varietete të tjera – mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut dhe në muret e arterieve.
Autopsitë e disa njerëzve që kanë vdekur nga ataku në zemër kanë zbuluar ADN nga varietete të ndryshme të baktereve orale në muret e enëve të gjakut.
Teoria e dytë: Inflamacioni. Kur njerëzit kanë një infeksion kronik, të themi, në mishrat e dhëmbëve, inflamacionet kronike të lidhura mund të shfaqen diku tjetër.
Gjatë rreth 30 viteve të fundit, hulumtimet kanë treguar se njerëzit me nivele më të larta të inflamacionit në trupin e tyre kanë më shumë gjasa të kenë sulme në zemër dhe goditje në tru. Mendimi është se kur njerëzit kanë një infeksion në gojë, ai mund të shkaktojë një përgjigje inflamatore në trup. Për ta luftuar infeksionin, sistemi imunitar mund të bëhet tepër agresiv dhe forcimi i arterieve është rezultat i një acarimi të shkaktuar nga kjo përgjigje.
“Kjo në fakt ka më shumë kuptim për mua sesa bakteret”,- tha Waxler.
Teoria e tretë: Është e rastësishme. Njerëzit që nuk kujdesen për dhëmbët e tyre kanë më shumë gjasa të kenë zakone të këqija që çojnë në sëmundje të zemrës. Në këtë rast, çdo problem arterial nuk ka të bëjë fare me bakteret apo inflamacionin. Lidhja midis shëndetit të dhëmbëve dhe shëndetit të zemrës është se njerëzit me probleme të rënda dentare, gjithashtu, mund të pinë duhan ose të hanë ushqime që janë të dëmshme për ta.
Çfarë u këshilloj pacientëve?
“Unë do t’u thoja atyre të shkonin të bëni vizitën te dentisti të paktën një herë në vit, në mënyrë ideale çdo gjashtë muaj,” tha Waxler. “Lani dhëmbët dhe i pastroni me fill dentar. Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis dhëmbëve dhe zemrës, por nuk e dimë pse. Ama dimë që shkakton dhimbje!”/Përgatiti EKOFIN.al
