Vodafone Albania ka zgjeruar më tej numrin e abonentëve të tij në tregun e shërbimeve celulare në Shqipëri. Referuar të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), numri i abonentëve të Vodafone Albania në shërbimet celulare me karta SIM për 3-mujorin e dytë të vitit 2024 arriti në 1,832,228, me një rritje prej 1.5% krahasuar me 3-mujorin e kaluar.
Në rritje ka ardhur gjithashtu edhe numri i përdoruesve aktivë për shërbimet celulare, ku në fund të 3-mujorit të dytë, Vodafone Albania numëron 1,327,373 përdorues aktivë, ose 2.1% më shumë sesa tre-mujori i kaluar.
Kjo rritje e abonentëve për Vodafone Albania ka ardhur në kohën kur numri i përgjithshëm i abonentëve në tregun e shërbimeve celulare sipas kartave SIM shënoi rënie me 1.7% krahasuar me tre-mujorin e parë të këtij viti. Deri në fund të qershorit, numërohen rreth 3.7 milionë abonentë për tregun e telefonisë celulare.
Referuar tendencave të tjera të tregut, të analizuara nga AKEP, numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare në tre-mujorin e dytë arriti në rreth 2.5 milionë, me një rritje prej 1.8% krahasuar me tre-mujorin e mëparshëm të këtij viti.
Në tre-mujorin e dytë të vitit, rritje shënoi përdorimi i internetit përmes rrjeteve celulare, ku numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet nga rrjetet celulare arriti në rreth 2 milionë, ose 2.7% më shumë se tremujori i parë i këtij viti.
Gjithashtu, edhe trafiku i përgjithshëm data (Internet) në rrjetet celuare shënoi rritje, duke arritur në rreth 55 Milion GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur mesatarisht rreth 8.78 GB Internet në muaj në 3-mujorin e dytë, që përbën një rritje me 3.9% në krahasim me tremujorin e mëparshëm. /ekofin.al
