Vitin e kaluar, Shqipëria u vizitua nga mbi 10 milionë turistë, gjë që solli të ardhura shtesë për ekonominë, ndikoi në rritje të konsumit, si edhe një sërë treguesish të tjerë. Gjithashtu, trendi duket pozitiv edhe përgjatë këtij viti, ku në 8 muajt e parë, vendi është vizituar nga rreth 8.5 milionë turistë.
Por ardhja e të huajve për pushime në vendin tonë, duket se ka shtuar edhe më tej interesin e tyre për të bërë biznes, pse jo pikërisht në sektorin që po përjeton një bum gjatë viteve të fundit, turizmin. Bazuar në të dhënat e INSTAT, në 7 muajt e parë të vitit 2024, numri i të huajve që kanë ardhur në Shqipëri për qëllime biznesi ka arritur në rreth 120 mijë, me një rritje prej 57% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e interesit të të huajve për të bërë biznes në vendin tonë, duket se po ecën paralelisht edhe më rritjen e investimeve të huaja. Bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin e parë të vitit, investimet e huaja direkte arritën në 750 milionë euro, me një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vitin e kaluar, IDH arritën në afro 1.5 miliardë euro, duke shënuar një nga shifrat më të larta historike.
Mundësitë e reja për investime, jo vetëm në imobiliare, por edhe në fusha të tjera, si turizmi e energjia, duket se po tërheqin gjithnjë e më shumë shtetasit e huaj për të ardhur jo më thjesht për turizëm, por edhe për të bërë biznes në vendin tonë. / ekofin.al
