Në kuadër të mbrojtjes së shëndetit dhe luftës ndaj sëmundjeve të shkaktuara nga duhanpirja, Komisioni Evropian dhe vendet e tjera të BE po shqyrtojnë ndalimin e konsumit të tij në mjediset e jashtme dhe vendqendrimet publike. Shumë nga këto shtete kanë marrë masa strikte dhe ndalojnë pirjen e duhanit në stacionet e autobusëve, tarracat e kafeneve, parqet e lojrave të fëmijëve etj.
Rekomandimi i KE ka një shtrirje edhe më të gjerë, pasi po bëhet edhe për produktet e reja, të tilla si cigaret elektronike dhe produktet e duhanit me ngrohje (HTP). Këto produkte kanë rritur pjesën e tyre të tregut dhe po krijojnë varësi përdorimi vitet e fundit, veçanërisht tek të rinjtë, ndërkohë që një prej synimet është arritja e “Brezit pa duhan” dhe mposhtjes së sëmundjeve kancerogjene.
Nëpërmjet programit “EU4Health”, Komisioni po ofron fonde për të mbështetur shtetet anëtare në zbatimin e masave të rekomanduara, duke përfshirë një grant të drejtpërdrejtë prej 16 milionë eurosh. Komisioni do të mbështesë gjithashtu kërkimin në kontrollin e duhanit dhe nikotinës, si dhe parandalimin e varësisë, në kuadër të Programit “Horizon”, me një buxhet total prej më shumë se 80 milionë euro.
Ekspozimi ndaj tymit të dorës së dytë nga produktet e duhanit paraqet rreziqe të konsiderueshme për shëndetin, duke përfshirë kancerin e mushkërive dhe sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare. Vlerësimet sugjerojnë se rreth 9% e të gjitha rasteve të sëmundjeve kardiovaskulare dhe mbi 2% e vdekjeve të tyre në Evropë janë për shkak të ekspozimit ndaj tymit të dorës së dytë.
Rreziku i zhvillimit të sëmundjeve të zemrës rritet deri në 25-30% për joduhanpirësit që thithin duhanin e dorës së dytë në shtëpi ose në punë, ndërsa i sëmundjeve kancerogjene deri në 16% për ata që nuk kanë pirë kurrë më parë. Nisur nga këto të dhëna, rekomandimi parashikon që shtetet anëtare të mbrojnë më mirë shëndetin e njerëzve, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë nga efektet e tymit të dorës së dytë dhe aerosoleve në zona të caktuara të jashtme dhe vendqendrime publike.
