Viti 2023 mund të konsiderohet një nga më të favorshmit sa i përket zgjerimit të aktiveve, aktivitetit të biznesit dhe kredidhënies për institucionet financiare jobanka. Referuar të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të IFJB-ve që ushtrojnë veprimtaritë e kreditimit gjatë vitit 2023 ka njohur rritje me rreth 7 miliardë lekë ose 12%, që vlerësohet një nga rritjet më të forta të viteve të fundit. Kështu, në fund të vitit të kaluar, aktivet e këtij sektori arritën në 65 miliardë lekë. Subjektet me peshën më të lartë në totalin e aktiveve të IFJB-ve janë “Fondi Besa” (28%), “NOA” (21%) dhe “Iute” (11%).
Sa i përket kreditimit, në fund të vitit 2023, portofoli i kredisë bruto për IFJB-të arrin në 53.6 miliardë lekë, me një rritje prej 6.23 miliardë lekësh ose 13% më shumë. Vihet re se portofoli i kredisë bruto të institucioneve financiare jobanka arriti në 7.25% të totalit të kredisë së sistemit bankar, duke u rritur me 1 pikë përqindjeje.

Aktiviteti me rritjen më të lartë edhe gjatë vitit 2023 ka qenë mikrokredia, ndërsa subjektet e mikrokredisë që në mënyrë konstante shfaqin rritjen më të lartë të aktivitetit janë “Iute” dhe “Kredo.al”.
Shoqata Mikrofinanca Shqiptare, në raportin e publikuar për vitin 2023, thekson se “veprimtaria mikrofinanciare gjatë vitit 2023 konsiderohet me rritje, indikatorë financiarë të qëndrueshëm dhe një administrim të kënaqshëm të burimeve në dispozicion.” Anëtarët e AMA-s kanë një portofol aktiv prej rreth 44.2 miliardë lekë dhe një portofol kredie prej rreth 36.6 miliardë lekë, me një rritje prej 9.2% dhe 7.2 % përkatësisht. Shoqata përbëhet nga 8 institucione financiare jo-banka, me veprimtari kredidhënien dhe mikrokredinë, dhe 2 institucione të kursim kreditit.
AMA informon se kreditë e akorduara në numër në total për vitin 2023 ishin 255,733, nga të cilat aktive në fund të dhjetorit 2023 ishin 199,588. Ndërkohë, e parë në kredi të dhëna sipas segmenteve të tregut, kryesojnë kreditë akorduar për individët, të cilat zënë rreth 80% të numrit të përgjithshëm të kredive të dhëna gjatë vitit 2023. Pas tyre renditen përkatësisht kreditë për bizneset dhe ato për bujqësinë, të cilat zënë përkatësisht 15% dhe 12.5%. / ekofin.al
