Treguesit e tremujorit të dytë të 2024 mbi shërbimet në vendin tonë tregojnë për një rritje të përgjithshme të indeksit të shitjeve neto në volum, krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të INSTAT, vihet re se rritja kryesohet nga kategoria e shërbimit të hotelerisë, ku indeksi i shitjeve neto në volum shënoi 17,1 % më shumë, krahasuar me tremujorin e dytë 2023. Po kështu ky sektor njohu edhe një rritje prej 8,7% të numrit të të punësuarve dhe rritje të fondit të pagave me 15,1%.
Pas hotelerisë, aktivitetet e bar – restorantit kanë treguar një rritje të indeksit të shitjeve neto me 11,6%, me 0,6% më shumë të numrit të të punësuarve dhe me rritje të fondit të pagave me 3,8%, krahasuar me tremujorin e dytë të 2023.
E ndikuar nga periudha e pushimeve verore, agjencitë e udhëtimit kanë pasur shtim të aktiviteteve të tyre dhe indeksi i shitjeve neto në volum është rritur me 7,2%. Ky sektor ka njohur edhe një rritje të numrit të të punësuarve me 6,7% dhe indeksi i fondit të pagave me 15,2%.
Shifrat tregojnë se edhe tregtia me shumicë e pakicë u rrit me 3,8%, transporti me 8,1%, ndërsa sektori i informacionit, telekomunikacionit si dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit shënuan një rënie në indeksin e shitjeve neto në volum me 4,4 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023;
