Një tjetër rrjet supermarketesh botërore po planifikon të hyjë në Shqipëri. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka bërë të ditur se gjigandi gjerman “Lidl” ka shprehur interes për zgjerimin e aktivitetit të tij në vendin tonë, duke e parë Shqipërinë si një treg me potencial të madh, nisur nga vlerësimi që konsumatorët kanë ndaj produkteve të cilësisë së lartë dhe çmimeve konkurruese që ofron.
SIPAS AIDA-s ky do të jetë një hap i rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe pritet të sjellë ndryshime rrënjësore në strukturën e tregut vendas të marketeve, i cili zotërohet kryesisht nga operatorët lokalë.
I bazuar në Gjermani, “Lidl” është një nga rrjetet më të mëdha në botë të supermarketeve, duke numëruar 12 mijë e 200 dyqane në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, por edhe në SHBA, Zvicër dhe Angli. Aktualisht Lidl numëron mbi 376 mijë të punësuar në të gjithë botën dhe vitin e kaluar realizoi një xhiro prej 125.5 miliardë dollarësh, një shifër kjo 6 herë më e lartë se produkti i brendshëm i Shqipërisë.
Ky investim i rëndësishëm nga “Lidl” pritet të sjellë përmirësimin e ekonomisë lokale, duke krijuar vende të reja pune dhe duke ofruar mundësi për prodhuesit dhe furnizuesit shqiptarë.
