Me fillimin e stinës së vjeshtës, shtetet e Evropës Qendrore po përgatiten intensivisht për të përballuar mot me rreshje të ashpra. Sipas parashikimeve, disa rajone të Republikës Çeke dhe Polonisë mund të regjistrojnë 400 litra shi për metër katror brenda katër ditëve, ndërsa Austria dhe Sllovakia mund të regjistrojnë deri në 200 litra.
Ngjarjet kulturore të planifikuara për fundjavë, tashmë janë shtyrë në katër shtetet, për shkak të ciklonit “Boris”.
Ministri çek i Ambientit Petr Hladik është shprehur se situata në vendin e tij mund të jetë e ngjashme me atë që është përjetuar në 1997, ku në rajonin e Moravisë shirat e rrëmbyeshëm u morën jetën 50 personave dhe shkaktuan miliarda dollarë dëme materiale. Në vitin 2002, situata e dëmeve ishte edhe më katastrofike. Në qytetet e rajonit të Moravisë janë vendosur barriera kundër vërshimeve, dhe janë përgatitur thasë me rërë.
Kanali televiziv austriak ORF ka thënë se reshjet e mëdha mund të ndikojnë në nivelin më të madh të ujërave që Danubi mund të ketë pasur në 10 vitet e fundit. Kancelari austriak Karl Nehammer ka thënë të mërkurën se ushtria është gati për të angazhuar 1.000 ushtarë përgjatë fundjavës, nëse ka nevojë. Edhe ushtria sllovake dhe zjarrfikësit janë në gjendje gatishmërie.
Nëse parashikimet për Sllovakinë dalin të vërteta, reshjet e shiut do të jenë edhe më intensive sesa ato të vitit 2013, të cilat u konsideruan si një fenomen që ndodh një herë në 1.000 vjet./ REL
