Ashtu si pjesa më e madhe e shërbimeve, edhe për shkak se pjesa më e madhe e popullsisë është e përqendruar në Tiranë, edhe sa i përket tregut të sigurimeve, kryeqyteti mban peshën kryesore, si në prime, ashtu edhe sa i përket dëmeve të paguara.
Shifrat zyrtare të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se qarku i Tiranës numëron 14.3 miliardë prime të shkruara bruto, e ndjekur nga Durrësi me 1.6 miliardë. Qarqet me regjistrimin më të vogël të përqindjes të policave të sigurimit janë Kukësi me vetëm 201 milionë lekë prime dhe Dibra me 368 milionë lekë.
Tirana zotëron 63% të primeve të shkruara bruto. Shifrat në përqindje rendisin Durrësin në vend të dytë, i cili përbën vetëm 7% të vlerës prej 22.8 miliardë lekësh të primeve, ndjekur nga Korça me afërsisht 5% dhe 4.5% në Vlorë dhe Fier. Qarqet e tjera të vendit regjistrojnë përqindje jo të konsiderueshme në raport me totalin e primeve dhe shumës 6.5 miliardë lekë dëme të paguara.
Sipas të dhënave vërehet se qarku i Beratit pavarësisht se ka pasur një vlerë më të lartë të primeve të shkruara bruto për dëmet e paguara në krahasim me qarkun e Dibrës, rezulton se ka pasur edhe më tepër raste për pagim dëmesh. Kjo tregon se ky qark ka pasur një përqindje më të lartë të sigurimit që lidhet me fatkeqësitë natyrore, aksidentet rrugore etj. Po e njëjta dukuri vërehet edhe Gjirokastrën, ndërsa qarku i Kukësit vazhdon të ketë një përqindje më të ulët dëmesh të paguara, në përputhje kjo edhe me numrin e primeve të shkruara bruto.
