Shqipëria po përfshihet gjithnjë e më shumë në projektet në fushën e politikave për zhvillimin e gjelbër dhe të qëndrueshëm, të cilat janë në fokus të veçantë të Bashkimit Evropian.
Me një financim nga Granti i Ndërkombëtarizimit INGENIOUS, pjesë e EUROCLUSTER INGENIOUS, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vendin tonë mund të përfitojnë grante deri në 2,500 euro në rrugën drejt ndërkombëtarizimit të aktiviteteve të tyre.
Sipas Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit dhe Investimeve, buxheti i përgjithshëm për këto grante është 25,000 euro, që do të shpërndahet në 10 sipërmarrje të vogla dhe të mesme. Aplikimet do të jenë të hapura deri në datën 30 shtator 2024.
Subjektet që do të përfitojnë nga ky financim janë ato do të ndjekin “politikat e gjelbëra” lidhur me burimet e rinovueshme, energjinë, bateritë dhe sistemet e tjera të ruajtjes së energjisë, si dhe industritë që përfshijnë teknologjinë dhe veprimtaritë risi. Ndër objektivat që synon granti janë përveç ndërkombëtarizimit, promovimi i tranzicionit të gjelbër e digjital, sipas direktivave të BE-së për pakësimin e ndotjes në mjedis deri në 2050, si dhe ndihmë për rritjen e konkurrencës në treg.
