Punësimi në Shqipëri mbetet ende një sfidë veçanërisht për të rinjtë, të cilët kanë pak ose aspak përvojë në përputhje me kërkesat e tregut dhe, rrjedhimisht përfitojnë një pagesë të pamjaftueshme për të përballuar koston e jetesës.
Sipas shifrave zyrtare, punësimin e kryeson sektori privat me 562, 284 të punësuar kontribues, i ndjekur nga 183,302 individë në sektorin shtetëror.
Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024, është 75.114 lekë, duke u rritur me 5,9 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Sipas treguesve të INSTAT, aktivitetet ekonomike, të cilat ofrojnë pagë mesatare mujore bruto më të lartë se paga mesatare në nivel kombëtar, janë aktivitetet financiare dhe të tregut të sigurimeve, si dhe të informacionit dhe komunikimit. Krahasuar me të njëjtën periudhë, paga mesatare bruto për grup-aktivitetin financiar dhe të sigurimit ka rritjen më të madhe prej 11,4 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka administrata publike dhe mbrojtja, sigurimi social i detyrueshëm, arsimi, shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 3 %.
Grupi i profesioneve të menaxherëve, ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë, si dhe specialistëve me arsim të lartë, ofrojnë pagat mesatare mujore bruto më të larta, krahasuar me pagën mesatare në nivel kombëtar.
