Qeveria është e gatshme të kthejë mbrapsht tatimin e paguar nga profesionistët e lirë, pas rrëzimit të ndryshimeve ligjore nga Gjykata Kushtetuese. Një fakt i tillë u pranua nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë diskutimeve mbi aktin normativ të Buxhetit të shtetit, në komisionin e Ligjeve.
Përballë akuzave të deputetëve të opozitës, Ministri theksoi se po pritet një interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
“Ju mbani miliona euro të këtyre qytetarëve, pse nuk ndërmerrni një iniciativë për të kthyer këtë tatim të bizneseve që gjenden me pa të drejtë në arkën tuaj?
“Qeveria ka vullnetin për të kthyer mbrapa këto fonde , i kemi kërkuar Gjykatës kushtetuese të interpretojë se çfarë duhet të bëjmë. Pas shprehjes së Gjykatës Kushtetuese do marrim një vendim që çfarë do bëjmë, vullneti i qeverisë është që ti kthejë këto fonde mbrapsht duke ndjekur kuadrin ligjor,” theksoi Malaj.
“Mjafton një nen në ligjin përkatës dhe s’kemi nevojë për të humbur kohë. Duket si tentativë për të zvarritur këtë çështje?” – shtuan më tej përfaqësuesit e opozitës.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi në fund të qershorit nenin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat që taksonte me 15% të ardhurat e profesioneve të lira, duke lënë në fuqi atë për taksimin 23%. Vendimi i Kushtetueses u zbardh në fillim të gushtit, ndërkohë që ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me këstet e paguara deri në atë moment nga subjektet që ushtrojnë aktivitet me kodet e shërbimeve profesionale. /Ekofin.al
