Ekonomia shqiptare ka vazhduar të tregojë performancë të fortë gjatë këtij viti, e cila ka ndikuar në rritjen e iniciativave private. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, në periudhën janar-gusht 2024 janë regjistruar 12,240 biznese të reja, një rritje prej rreth 4,700 subjekteve në krahasim me vitin e kaluar.
Nga këto, Tirana ka ndjekur një ritëm të lartë, duke regjistruar 422 biznese të reja, falë rolit të saj si kryeqytet dhe qendër e madhe ekonomike. Qarku i Vlorës, Durrësit, Shkodrës, Fierit dhe Lezhës gjithashtu kanë patur rritje të konsiderueshme, ndërsa Kukësi dhe Gjirokastra renditen në fund me 22 dhe 18 biznese të regjistruara, përkatësisht.
Në aspektin e pronësisë, 11,115 biznese janë tërësisht shqiptare, 961 janë të huaja, dhe 159 kanë pronësi të përbashkët shqiptare dhe të huaj. Po ashtu, ndodhen 5 biznese të cilat janë shqiptare, por me status shtetëror.
Në lidhje me format ligjore, subjektet individuale, ose personat fizikë, përbëjnë shumicën me 9,050 regjistrime. Ky trend tregon një tendencë në rritje për punësim të pavarur, ndihmuar edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ka hequr tatimin mbi këto subjekte. Pas tyre, janë regjistruar 3,127 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, 22 si degë të shoqërive të huaja, 25 si shoqëri të thjeshta, 8 si shoqëri aksionere dhe 4 si zyra përfaqësimi. Përveç këtyre, janë regjistruar 3 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor dhe 1 shoqëri aksionere me ofertë publike.
