Para kulmit të sezonit turistik veror, Shqipëria vijon të regjistrojë flukse të larta të lëvizjes së qytetarëve në kufi. Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se gjatë muajit qershor 2026, vendi priti mbi 2 milionë hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, ndërsa vizitorët nga Evropa Jugore mbeten burimi kryesor i turizmit drejt Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, ritmi i daljeve nga territori shqiptar rezulton më i lartë se ai i hyrjeve, duke reflektuar intensifikimin e lëvizjeve sezonale.
Sipas INSTAT, gjatë qershorit në Shqipëri hynë 2.081.649 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 0,9% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025. Ndërkohë, numri i daljeve arriti në 2.008.987 persona, duke shënuar një rritje prej 4,7% në bazë vjetore.
Pesha më e madhe e hyrjeve i përket shtetasve të huaj. Gjatë muajit qershor, në vend hynë 1.346.279 vizitorë të huaj, me një rritje prej 1,3%, ndërsa hyrjet e shtetasve shqiptarë arritën në 735.370, ose 0,2% më shumë se një vit më parë. Edhe në dalje vihet re një rritje më e fortë e lëvizjes së shtetasve të huaj, të cilët regjistruan një zgjerim prej 6,5%, ndërsa daljet e shtetasve shqiptarë u rritën me 1,8%
Në analizën sipas rajoneve të origjinës, Evropa vijon të mbetet tregu dominues për turizmin shqiptar. Brenda kontinentit, Evropa Jugore përfaqëson 66% të hyrjeve, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore 14%, duke konfirmuar se Shqipëria vazhdon të mbështetet kryesisht tek vizitorët nga vendet fqinje dhe rajoni mesdhetar. Paralelisht, vihet re edhe rritje e hyrjeve nga Amerika, Azia Lindore dhe Paqësori, si dhe Azia e Jugut, një sinjal i zgjerimit gradual të tregjeve turistike./ekofin.al


