Pensionistët që dëshirojnë të marrin pensionin e tyre përmes bankës tani kanë dy mundësi pa kosto shtesë. Ata mund të bëjnë kërkesën nëpërmjet portalit e-Albania duke ngarkuar formularin e të dhënave të llogarisë bankare të lëshuara nga banka. Një mundësi tjetër është të paraqiten në degën e bankës ku dëshirojnë të përfitojnë pensionin, ku banka do të trajtojë kërkesën sipas procedurës të përcaktuar.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar marrëveshje me 9 banka në vend që ofrojnë llogari me komisione zero ose të reduktuara për pensionistët. Për ata që tashmë e marrin pensionin përmes bankës, do të jetë e nevojshme të paraqiten në bankë në muajin Mars dhe Shtator për të konfirmuar vazhdimësinë e pagesave duke nënshkruar një deklaratë. Kjo mund të bëhet gjithashtu nëpërmjet portalit e-Albania.
Ligji i ri për llogaritë bazike, që ka hyrë në fuqi në Prill, synon të përmirësojë aksesin në shërbimet bankare për pensionistët duke ofruar tarifa të reduktuara ose zero për shërbime të ndryshme si hapja dhe mbyllja e llogarive, tërheqjet në ATM, debitimet direkte, dhe pagesat online. Ky ligj gjithashtu lejon transferimin nga llogaritë normale në llogari bankare bazike për të siguruar që pensionistët të kenë një qasje më të lehtë dhe më të përballueshme në shërbimet bankare.
