Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë 686 aplikime online nga fermerët për kompensimin përmes autofaturës gjatë periudhës 1–14 korrik 2026, ndërsa shuma totale e kërkuar arrin në 1.85 milionë euro.
Sipas të dhënave të publikuara nga administrata tatimore, 665 aplikime, ose rreth 97% e totalit, janë në proces shqyrtimi ose janë miratuar.
Kompensimi përllogaritet në masën 10% dhe synon fermerët që shesin produkte bujqësore përmes skemës së autofaturimit. Aplikimet kryhen online në platformën e-Filing, ku fermerët mund të paraqesin dokumentacionin për përfitimin e shumës që u takon.
Skema e kompensimit lidhet me shitjet e dokumentuara përmes autofaturës, mekanizëm që përdoret kur blerësi i produkteve bujqësore lëshon faturën në emër të fermerit.
Administrata tatimore u bën thirrje fermerëve të aplikojnë në e-Filing dhe ka vënë në dispozicion adresën elektronike [email protected] për informacion shtesë.

