Të blesh një banesë në Evropë nuk do të thotë vetëm të përballosh çmimin e saj. Në shumicën e vendeve, pronarët paguajnë taksa pothuajse në çdo fazë të ciklit të pronës: gjatë blerjes, gjatë periudhës së posedimit, nëse e japin me qira dhe në momentin kur e shesin.
Megjithatë, barra fiskale ndryshon ndjeshëm nga një shtet në tjetrin. Në disa vende taksat janë relativisht të ulëta, ndërsa në të tjera ato mund të përbëjnë një kosto të konsiderueshme për familjet dhe investitorët. Kjo e bën sistemin tatimor një faktor të rëndësishëm për këdo që planifikon të investojë në pasuri të paluajtshme në Europë.
Katër llojet kryesore të taksave mbi pronën
Sipas analizës së Euronews Business, taksat mbi pronën në Europë ndahen në katër kategori kryesore si taksa gjatë blerjes së pronës, taksa vjetore mbi pronësinë, tatimi mbi të ardhurat nga qiraja, dhe tatimi mbi fitimin kapital kur prona shitet.
Jo të gjitha vendet i aplikojnë këto taksa në të njëjtën mënyrë. Disa mbështeten më shumë tek taksat e transaksionit, ndërsa të tjera kanë tatime më të larta vjetore mbi pronësinë.
Belgjika dhe Franca ndër vendet më të shtrenjta
Një nga kostot më të mëdha për blerësit është taksa e transferimit të pronës.
Belgjika rezulton ndër vendet me barrën më të rëndë fiskale për blerjen e një shtëpie, ku norma mund të arrijë deri në 12.5%, ndërsa në Francë taksat e blerjes janë gjithashtu ndër më të lartat në Europë.
Në anën tjetër të renditjes qëndrojnë vende si Estonia, Lituania dhe Sllovakia, ku kostot fillestare për blerjen e një prone janë dukshëm më të ulëta.
Taksat vjetore ndryshojnë ndjeshëm
Edhe pasi prona blihet, pronarët vazhdojnë të paguajnë taksa vjetore, por mënyra e llogaritjes ndryshon sipas vendit.
Në disa shtete, si Mbretëria e Bashkuar, Franca apo Belgjika, këto taksa janë relativisht të larta dhe përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për pushtetin vendor.
Në vende të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, përfshirë disa shtete baltike, barra fiskale mbi pronësinë mbetet dukshëm më e ulët.
Fitimet nga qiraja tatohen ndryshe
Edhe të ardhurat që sigurohen nga dhënia me qira e banesës nuk trajtohen njësoj në të gjithë Europën.
Disa vende aplikojnë norma progresive të tatimit mbi të ardhurat nga qiraja, ndërsa të tjera ofrojnë skema më të favorshme fiskale për investitorët privatë ose lehtësi për shpenzimet e mirëmbajtjes.
Për këtë arsye, dy investime me të njëjtën vlerë mund të gjenerojnë fitime neto shumë të ndryshme, vetëm për shkak të sistemit tatimor të vendit ku ndodhen.
Edhe shitja e pronës mund të kushtojë
Kur një pronë shitet me fitim, në shumë vende europiane aplikohet tatimi mbi fitimin kapital.
Megjithatë, ekzistojnë përjashtime. Në disa shtete nuk paguhet tatim nëse prona ka qenë banesa kryesore e pronarit ose nëse është mbajtur për një periudhë të caktuar kohore përpara shitjes.
Këto rregulla ndikojnë drejtpërdrejt në kthimin real të investimit dhe janë një element që investitorët duhet ta marrin në konsideratë përpara se të blejnë pasuri të paluajtshme.
Taksat ndikojnë edhe në atraktivitetin e tregut
Analiza thekson se niveli i taksave është bërë një nga faktorët kryesorë që investitorët marrin parasysh kur zgjedhin ku të blejnë një pronë.
Vendet me barrë më të ulët fiskale priren të jenë më tërheqëse për investime afatgjata, ndërsa tregjet me taksa të larta mund të dekurajojnë blerjet, veçanërisht në periudha me norma të larta interesi dhe çmime të larta të banesave.
Në këtë kontekst, sistemi fiskal është kthyer në një element po aq të rëndësishëm sa çmimi i vetë pronës, duke ndikuar jo vetëm në koston e blerjes, por edhe në fitimin që një pronar mund të realizojë gjatë gjithë ciklit të investimit./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

