Konsumi global i naftës pritet të shënojë rënie këtë vit për herë të parë që nga pandemia e COVID-19, duke reflektuar ndikimin që konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka pasur mbi ekonominë botërore dhe tregtinë e energjisë. Ky është përfundimi i raportit më të fundit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), e cila paralajmëron se tensionet në Gjirin Persik kanë goditur kërkesën globale për naftë, edhe pse gjatë muajit qershor furnizimi nisi të rikuperohej pjesërisht.
Sipas IEA-së, kërkesa globale për naftë do të bjerë me rreth 1 milion fuçi në ditë gjatë vitit 2026, duke shënuar tkurrjen e parë vjetore që nga viti 2020, kur bllokimet e pandemisë ndaluan transportin ajror dhe pezulluan një pjesë të madhe të aktivitetit industrial.
Megjithatë, agjencia thekson se situata aktuale është ndryshe nga pandemia. Atëherë kërkesa globale ra me rreth 8 milionë fuçi në ditë, ndërsa këtë herë rënia lidhet kryesisht me ndikimin që ka pasur mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Goditja më e madhe ka ardhur nga Azia
IEA vlerëson se rënia e konsumit nuk është e shpërndarë në mënyrë të barabartë.
Sipas raportit, ekonomitë aziatike që varen nga importi i energjisë kanë pësuar goditjen më të madhe. Po ashtu, janë prekur edhe industrinë petrokimike, veçanërisht produktet si nafta (naphtha) dhe gazi i lëngshëm i naftës (LPG), zinxhirët e furnizimit të të cilave kalojnë kryesisht përmes Ngushticës së Hormuzit.
Kjo ka bërë që ndikimi ekonomik të mos kufizohet vetëm te prodhuesit e naftës, por të prekë edhe industrinë, transportin dhe tregtinë ndërkombëtare.
Çmimet mbeten mbi nivelet e para luftës
Pavarësisht rënies së kërkesës, çmimet e naftës vazhdojnë të mbeten relativisht të larta.
Nafta Brent, referenca kryesore ndërkombëtare, tregtohej rreth 76 dollarë për fuçi, rreth 6% më shumë se përpara sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të muajit shkurt.
Megjithatë, çmimet janë ende larg kulmit prej afro 120 dollarësh për fuçi, të regjistruar gjatë muajit mars, në kulmin e konfliktit.
Ndërkohë, nafta amerikane WTI tregtohej rreth 72 dollarë për fuçi.
Furnizimi u rikuperua pjesërisht në qershor
Raporti evidenton se gjatë muajit qershor tregu nisi të japë sinjale stabilizimi.
Prodhimi global i naftës u rrit me 4.1 milionë fuçi në ditë, duke arritur në 98.8 milionë fuçi në ditë, pas rihapjes së pjesshme të Ngushticës së Hormuzit, që u lejoi vendeve të Gjirit të rifillonin prodhimin në disa nga fushat e mbyllura.
Megjithatë, prodhimi mbetet ende 9.4 milionë fuçi në ditë më i ulët krahasuar me periudhën para nisjes së konfliktit.
Edhe eksportet e vendeve të Gjirit janë rikuperuar pjesërisht. Ato arritën në 16.1 milionë fuçi në ditë, nga vetëm 9.6 milionë gjatë periudhës më të vështirë të konfliktit, por ende mbeten larg mesatares prej 24 milionë fuçi në ditë që regjistrohej përpara luftës.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte rritja e rezervave globale të naftës, për herë të parë që nga fillimi i konfliktit, megjithëse rezervat në ekonomitë e zhvilluara vazhduan të bien, pasi shumë importues shtynë blerjet për shkak të pasigurisë.
Armëpushimi mbetet i brishtë
Parashikimet e IEA-së mbështeten në supozimin se armëpushimi mes palëve do të respektohet dhe se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet gradualisht.
Në këtë skenar, furnizimi global do të mbetet nën kërkesë gjatë këtij viti, me një diferencë prej rreth 860 mijë fuçi në ditë. Ndërsa gjatë vitit të ardhshëm prodhimi pritet të rritet ndjeshëm, duke e kthyer tregun në një situatë teprice.
Megjithatë, raporti paralajmëron se ky skenar është gjithnjë e më i pasigurt.
Vetëm gjatë kësaj jave armëpushimi është shkelur sërish. Pas sulmeve iraniane ndaj tre anijeve tregtare, forcat amerikane goditën mbi 80 objektiva në territorin iranian, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore, radarë bregdetarë dhe mjete detare të Gardës Revolucionare. Paralelisht, Uashingtoni revokoi licencën që lejonte eksportet e naftës iraniane. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al

