Bizneset kanë edhe tre javë kohë për të përmbushur një nga detyrimet më të rëndësishme ligjore të vitit. 31 korriku 2026 është afati përfundimtar për depozitimin e pasqyrave financiare vjetore pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), ndërsa institucioni u bën thirrje subjekteve të mos e shtyjnë procesin për ditët e fundit, për të shmangur vonesat dhe problemet teknike.
QKB kujton se depozitimi kryhet vetëm në mënyrë elektronike, përmes portalit e-Albania, në shërbimin “Depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit”, i vlefshëm si për subjektet me administratorë shqiptarë, ashtu edhe për ata të huaj.
Një nga problematikat më të shpeshta që shfaqet çdo vit në prag të afatit lidhet me mungesën e Nënshkrimit Elektronik të administratorit.
Për këtë arsye, QKB u kujton administratorëve që të pajisen paraprakisht me Nënshkrim Elektronik në cilësinë “Administrator”, pasi pa këtë element nuk mund të përfundohet procesi i depozitimit.
Aplikimi kryhet në portalin e-Albania, ndërsa përpara aplikimit administratorët duhet të verifikojnë që NID-i të jetë deklaruar saktë në sistemin e-Filing dhe në formularin e-SIG27, për të shmangur refuzimet apo vonesat gjatë procedurës.
Në rast se administratori nuk disponon Nënshkrim Elektronik, ligji lejon që dokumentet të dorëzohen edhe nga një person i tretë i pajisur me Nënshkrim Elektronik, përmes autorizimit ose prokurës përkatëse.
Sipas legjislacionit në fuqi, detyrimin për depozitimin e pasqyrave financiare e kanë subjektet që tatohen me Tatimin mbi Fitimin Korporativ ose me Tatimin mbi të Ardhurat Personale Biznesore, në rastet kur realizojnë një qarkullim vjetor mbi 5 milionë lekë.
Kur dokumentacioni është i detyrueshëm, dosja duhet të përfshijë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë si dhe raportin e auditimit, kur kërkohet nga ligji.
QKB rikujton se mosrespektimi i afatit ligjor nuk është vetëm një vonesë procedurale. Mosdepozitimi i pasqyrave financiare brenda 31 korrikut sjell pasoja administrative, në përputhje me legjislacionin për regjistrimin e biznesit.
Pikërisht për këtë arsye, institucioni këshillon bizneset të mos presin fundin e muajit, kur zakonisht rritet ndjeshëm fluksi i aplikimeve dhe mund të shfaqen problematika teknike.
Për të shmangur vonesat, QKB rekomandon që subjektet të verifikojnë nëse administratori disponon Nënshkrim Elektronik, kontrollojnë saktësinë e të dhënave në e-Filing dhe formularin e-SIG27, përgatisin paraprakisht dokumentacionin financiar si edhe të kryejnë depozitimin përmes e-Albania pa pritur ditët e fundit të afatit.

