Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe Fondacioni Shqiptar i Garancive për Zhvillim (ADGF) kanë rinovuar partneritetin e tyre përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të re në kuadër të Mekanizmit të Garancisë KfW të BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke rikonfirmuar angazhimin e përbashkët për forcimin e ekosistemit sipërmarrës në Shqipëri dhe mbështetjen e rritjes së qëndrueshme të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (MSME).
Marrëveshja e rinovuar përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm në bashkëpunimin afatgjatë midis dy institucioneve dhe pasqyron objektivin e tyre të përbashkët për të përmirësuar aksesin në financë për bizneset e qëndrueshme në të gjithë vendin. Përmes mekanizmit të ndarjes së riskut KfW të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Intesa Sanpaolo Bank Albania do të vazhdojë të zgjerojë mundësitë e financimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, duke u mundësuar atyre të investojnë, të sjellin risi, të rriten dhe të krijojnë vende të reja pune, duke ruajtur një qasje të qëndrueshme ndaj huadhënies.
Mekanizmi i Garancisë KfW i BE-së për Ballkanin Perëndimor është krijuar për të rritur qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, me vëmendje të veçantë tek bizneset që operojnë në zonat rurale, sektorin e prodhimit dhe tek sipërmarrjet e reja (start-up). Duke lehtësuar aksesin në financim, kjo nismë mbështet sipërmarrjen, nxit investimet dhe inovacionin si dhe dhe kontribuon në ndërtimin e një ekonomie shqiptare më të fortë dhe më të qëndrueshme.
Rinovimi i këtij partneriteti pasqyron angazhimin afatgjatë të Intesa Sanpaolo Bank Albania për të mbështetur ekonominë reale dhe për të promovuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Mbështetja e bizneseve, promovimi i përfshirjes financiare, nxitja e inovacionit dhe lehtësimi i investimeve janë në qendër të misionit të Bankës për të krijuar vlerë afatgjatë për klientët, komunitetin dhe vendin.
Z. Giuseppe Giampietro, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania, u shpreh:
“Në Intesa Sanpaolo Bank Albania, mbështetja e sipërmarrësve dhe bizneseve është në qendër të misionit tonë. Rinovimi i partneritetit me Fondacionin Shqiptar të Garancive për Zhvillim përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në zgjerimin e aksesit në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat janë një shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Përmes Mekanizmit të Garancisë KfW të BE-së për Ballkanin Perëndimor, ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë bizneseve mbështetjen financiare që u nevojitet për të investuar, për të inovuar, për të forcuar konkurrueshmërinë dhe për të krijuar vende të reja pune. Së bashku me partnerët tanë, mbetemi të përkushtuar për të nxitur rritjen e qëndrueshme dhe për të kontribuar në ndërtimin e një ekonomie shqiptare më të fortë dhe më rezistente.”
Znj. Gertjana Drita, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Fondacionit Shqiptar të Garancive për Zhvillim, u shpreh: “Rinovimi i partneritetit tonë me Intesa Sanpaolo Bank Albania shënon një hap tjetër të rëndësishëm në misionin e ADGF-së për të përmirësuar aksesin në financim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shqiptare. Duke kombinuar kapacitetin e huadhënies së Bankës me mekanizmin e garancisë së ADGF-së në kuadër të Mekanizmit të Garancisë KfW të BE-së për Ballkanin Perëndimor, synojmë të ndihmojmë bizneset me potencial të kapërcejnë kufizimet që lidhen me kolateralin, të investojnë në rritjen dhe konkurrueshmërinë e tyre, si dhe të krijojnë vende të reja pune. Ne e vlerësojmë lart bashkëpunimin tonë shumëvjeçar me Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe presim me kënaqësi ta zgjerojmë më tej ndikimin e përbashkët në mbështetje të sipërmarrjes, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në të gjithë Shqipërinë.”
Si pjesë e një prej grupeve bankare më të mëdha në Evropë, Intesa Sanpaolo Bank Albania vijon të jetë një partner financiar i besuar për bizneset shqiptare, duke ofruar zgjidhje financiare inovative, ekspertizë këshillimore dhe akses në iniciativa ndërkombëtare që forcojnë konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre. Përmes bashkëpunimeve strategjike siç është Programi i Garancisë KfW të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Banka kontribuon në krijimin e mundësive të qëndrueshme ekonomike, ruajtjen e vendeve ekzistuese të punës dhe mbështetjen e krijimit të vendeve të reja të punës në të gjithë Shqipërinë.
Rinovimi i marrëveshjes me ADGF forcon më tej angazhimin e Bankës për të mbështetur bizneset në çdo fazë të zhvillimit të tyre, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe në aspiratat e saj për integrim evropian. Intesa Sanpaolo Bank Albania e vlerëson partneritetin e saj afatgjatë me Fondacionin Shqiptar për Garancive për Zhvillim dhe pret me optimizëm vijimin e këtij bashkëpunimi të suksesshëm në funksion të një ekonomie shqiptare më konkurruese, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme.

