Pas gjashtë muajsh të përcaktuar nga lufta, një tronditje e çmimeve të naftës dhe një valë e fuqishme investimesh në inteligjencën artificiale (IA), ekonomistët thonë se pjesa tjetër e vitit varet nga një zinxhir rreziqesh të ndërlidhura, ku faktori më vendimtar është nëse marrëveshja e paqes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit do të qëndrojë.
Sipas një analize të re të Oxford Economics, gjysma e dytë e vitit mbështetet mbi një varg “dominosh”, dhe qëndrueshmëria e marrëveshjes SHBA–Iran do të përcaktojë mënyrën se si do të zhvillohen ngjarjet.
“Qëndrueshmëria e saj do të përcaktojë nëse ekonomia globale do të përfitojë nga një ulje e inflacionit e nxitur nga energjia, apo do të përballet me një tronditje të dytë të çmimeve të naftës”, thuhet në raportin e kryeekonomistit global Ryan Sweet, i cili e cilëson këtë marrëveshje si “dominon kyç që do të përcaktojë nëse rreziqet e tjera do të zbuten apo do të përshkallëzohen”.
Kompania parashikon përshpejtimin e ekonomisë botërore, me një rritje vjetore prej 3.1% në gjysmën e dytë të vitit, krahasuar me 1.6% të vlerësuar për gjysmën e parë. Kjo do të mbështetej kryesisht nga ulja e çmimeve të naftës, e cila do të rriste të ardhurat reale të familjeve. Megjithatë, Sweet vlerëson se gjasat që marrëveshja të mbetet e qëndrueshme janë vetëm “50 me 50”.
Nëse armëpushimi ruhet, Oxford Economics parashikon që nafta Brent të tregtohet mesatarisht në nivelin e ulët të 70 dollarëve për fuçi, duke lehtësuar inflacionin, kushtet financiare në ekonomitë në zhvillim dhe duke mbështetur vlerësimet e kompanive të teknologjisë.
Nëse marrëveshja dështon, pasojat nuk do të kufizohen vetëm te tregu i naftës.
Herët të mërkurën, ushtria amerikane sulmoi Iranin pasi deklaroi se Teherani kishte goditur tre anije në Ngushticën e Hormuzit. Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Bahreinit dhe Kuvajtit. Këto përplasje rritën rrezikun që marrëveshja e përkohshme për ndalimin e luftimeve të shembet. Megjithatë, sulmet ndoqën një model të ngjashëm me incidentet e mëparshme gjatë armëpushimit të brishtë dhe asnjëra palë nuk sinjalizoi menjëherë largimin nga negociatat.
Çmimi i naftës reagoi duke u rritur me më shumë se 3%, ndërsa nafta Brent u tregtua mbi 76 dollarë për fuçi.
“Prishja e marrëveshjes së paqes nuk do të rrisë vetëm çmimet e naftës; ajo do të shtojë presionin mbi zinxhirët e furnizimit të inteligjencës artificiale në Azi, do t’i detyrojë bankat qendrore të mbajnë politika më shtrënguese monetare, do të ashpërsojë kushtet financiare dhe madje mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA dhe të zgjedhjeve në Izrael. Efekti zinxhir përhapet shumë shpejt”, tha Sweet.
Një “hedhje monedhe” me diferencë 20 dollarë
Jo të gjithë ndajnë të njëjtin parashikim për çmimin e naftës.
Në raportin e saj të mesvitit, Morgan Stanley parashikoi se nafta mund të arrijë rreth 90 dollarë për fuçi deri në fund të vitit, rreth 20 dollarë më shumë se parashikimi i Oxford Economics. Në thelb, këto janë dy skenarë të ndryshëm mbi të ardhmen e së njëjtës marrëveshje paqeje.
Edhe Banka Botërore është më e kujdesshme. Ajo parashikon që çmimi mesatar i Brent-it të jetë rreth 94 dollarë për fuçi këtë vit dhe paralajmëron se rritja ekonomike globale do të ngadalësohet në 2.5% gjatë vitit 2026.
Duke komentuar përplasjet e fundit, Sweet tha se trafiku në Ngushticën e Hormuzit është treguesi më i mirë për të vlerësuar nëse marrëveshja po funksionon.
“Marrëveshja parashikonte rikthimin e plotë të trafikut në këtë pikë strategjike brenda 30 ditëve, çka e bën mesin e korrikut afatin e parë të rëndësishëm”, shpjegoi ai.
“Nëse trafiku rikthehet në të paktën 75% të nivelit para luftës deri në mesin e korrikut, gjasat që marrëveshja të jetë funksionale do të rriten. Në të kundërt, ato do të bien.”
Një tregues tjetër është nëse Irani do të aktivizojë zyrtarisht klauzolën e marrëveshjes që lidhet me Libanin, pas sulmeve izraelite, dhe nëse përgjigjja e tij do të jetë ushtarake apo vetëm politike.
Tarifat doganore, tregtia dhe inteligjenca artificiale
Tregtia ndërkombëtare përbën një tjetër rrezik që mund të ndryshojë perspektivën ekonomike.
Tarifat amerikane sipas Nenit 122 pritet të skadojnë më 24 korrik, por Uashingtoni tashmë ka përgatitur tarifa zëvendësuese sipas Nenit 301. Oxford Economics pret që këto ndryshime të rrisin normën efektive të tarifave nga fundi i korrikut, ndërsa SHBA synojnë të mbajnë të ardhura mujore nga tarifat prej 25–30 miliardë dollarësh.
Edhe Komisioni Evropian po ndjek një qasje më të ashpër. Aktualisht ai ka hapur më shumë se 50 hetime për mbrojtjen tregtare kundër Kinës, krahasuar me vetëm 17 një vit më parë, dhe planifikon të paraqesë një strategji më të gjerë për sigurinë ekonomike deri në shtator.
Këto tensione ndikojnë drejtpërdrejt edhe në zhvillimin e sektorit të inteligjencës artificiale, i cili ka qenë një nga shtytësit kryesorë të tregjeve financiare këtë vit.
Oxford Economics thekson se industria amerikane e inteligjencës artificiale varet shumë nga gjysmëpërçuesit dhe pajisjet elektronike që importohen nga Azia Verilindore dhe Azia Juglindore, rajone që do të preken më shumë nëse përkeqësohet qarkullimi i mallrave përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, Banka për Rregullimet Ndërkombëtare, organizata që bashkërendon bankat qendrore, paralajmëroi se bumi i inteligjencës artificiale po mbështetet gjithnjë e më shumë në forma të paqarta financimi mes prodhuesve të çipave, kompanive të mëdha të shërbimeve cloud dhe laboratorëve të inteligjencës artificiale, si edhe në kreditimin privat, i cili është katërfishuar gjatë pesë viteve të fundit.
Drejtori për rajonin e Azi-Paqësorit, Zhang Tao, paralajmëroi se varësia nga financimi jashtë sistemit bankar mund ta bëjë një krizë në sektorin e inteligjencës artificiale më të shpejtë dhe më të thellë sesa një krizë tradicionale bankare.
Sweet modeloi një skenar të tillë.
“Kemi ndërtuar një skenar ku aksionet e teknologjisë në SHBA bien me 25% brenda një viti”, tha ai për Euronews.
Sipas tij, një goditje e tillë do ta sillte ekonominë amerikane pranë stanjacionit, duke goditur eksportuesit e teknologjisë dhe besimin e investitorëve në mbarë botën, ndërsa rritja ekonomike globale do të ishte 1.1 pikë përqindjeje më e ulët se parashikimi bazë për vitin e ardhshëm.
Bankat qendrore, zgjedhjet dhe kalendari politik
Dominoja e fundit lidhet me politikën monetare dhe zhvillimet politike.
Oxford Economics pret që bankat kryesore qendrore të ndjekin politika më lehtësuese sesa presin aktualisht tregjet financiare, megjithëse ato mund të ndryshojnë shpejt kurs nëse trafiku në Ngushticën e Hormuzit përkeqësohet ose nëse çmimet e inputeve për inteligjencën artificiale sinjalizojnë probleme në furnizim.
Prova më e afërt do të jetë vendimi për normat e interesit nga Rezerva Federale e Shteteve të Bashkuara, e drejtuar nga Kevin Warsh, më vonë gjatë këtij muaji, pas publikimit të raportit të dobët të punësimit për muajin qershor.
Më pas vijnë zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA në nëntor dhe zgjedhjet e përgjithshme në Izrael, të planifikuara deri në fund të tetorit, të cilat mund të ndikojnë në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
Në shtator, zgjedhjet në disa lande të Gjermanisë mund të testojnë stabilitetin e koalicionit qeverisës dhe të politikës fiskale gjermane, një faktor kyç për ekonominë e zonës euro.
Oxford Economics vëren gjithashtu mundësi pozitive, si një rritje më e fortë e produktivitetit falë inteligjencës artificiale dhe një ekonomi e Bashkimit Evropian që i rezistoi më mirë se sa pritej tremujorit të dytë.
Sipas Sweet, nëse kompanitë kanë përballuar rritjen e kostove të energjisë pa ulur investimet dhe pa shtuar huamarrjen, kjo do të tregonte se ekonomia evropiane ka më shumë forcë sesa pritej. Në të kundërt, një tkurrje e kreditimit bankar në zonën euro do të ishte një sinjal negativ.
Në fund, ai thekson se gabimi mesatar i parashikimeve të Oxford Economics është afërsisht një pikë përqindjeje dhe se, në këtë rast, pasiguria rreth skenarëve është edhe më e madhe se zakonisht./Përshtati nga Euronews, ekofin.al

