Kredia për individët nga sektori bankar po vijon rritjen, madje edhe me ritme më të shpejta sesa ajo për bizneset. Sipas të dhënave të bëra publike nga Banka e Shqipërisë, financimi i bankave për individët ka vijuar me ritme të larta, ku rritja mesatare vjetore prej 14.7% në gjashtëmujorin e pare të vitit 2024, ishte rreth 1.7% më shumë sesa në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023.
Kjo rritje është mbështetur gjerësisht nga financimi në lekë i individëve. Rritja vjetore e këtij portofoli me rreth 22%, kompensoi edhe tkurrjen që shfaqi kreditimi në valutë me rreth 1%. Ruajtja e kushteve lehtësuese financiare në lekë dhe më të favorshme se sa atë në euro së bashku me vijimin e tendencës mbiçmuese të lekut ndaj euros duket se kanë mbështetur më tej zhvendosjen e kredisë së individëve drejt monedhës vendase.
Sipas qëllimit të përdorimit vihet re se kredia për blerje banesash dhe ajo për konsum kanë shfaqur përmirësim të normave me një rritje vjetore prej 15%, ose rreth 4% më shumë se ajo e gjashtëmujorit të fundit të vitit të kaluar. Kështu, në fund të qershorit 2024, kredia për banesa përbën rreth 67.4% të portofolit të kredisë për individët, me një rritje prej 1% krahasuar me fundvitin 2023.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja e kredisë për individët është mbështetur nga ulja e normave të interesit, ndikuar edhe nga rënia e yiedeve të Bonove të Thesarit, kryesisht në periudhën maj-qershor, si edhe nga rritja e konkurrencës mes bankave tregtare për të shtuar kreditimin në këtë sektor, të vlerësuar prej tyre me risk më të ulët sesa segmenti i bizneseve.
Ka një garë mes bankave për të zgjeruar portofolet e kredidhëniës si në sektorin e biznesit, ashtu edhe në atë retail për individët, bazuar kjo edhe në politikat e brendshme dhe orientimin e secilës nga 11 bankat tregtare që operojnë në Shqipëri.
Në fund të vitit 2023, njëra nga bankat, OTP Bank Shqipëri përmbysi për herë të parë në favor të individëve portofolin e saj të kredive neto. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Bankave, rezulton se kjo bankë kishte akorduar deri në fund të vitit të kaluar rreth 48 miliardë lekë kredi për individët, përkundrejt portofolit të saj kreditues për bizneset që arriti në 47 miliardë lekë.
OTP, e cila operon prej 5 vitesh në Shqipëri, në pronësi të grupit bankar hungarez me të njëjtin emër, ofron disa produkte të kategorizuara për individët, që nga overdraftet, kredinë konsumatoreve (me linjat e saj mini ekspres, unik dhe ekspres), kredinë hipotekare (universal, kredi për shtëpi, blerje për pasuri të paluajshtme dhe rikonstruksion), si edhe produktet e tjera si leasing për automjete apo kreditë me kotareal depozitë.
Banka tjetër që në portofolin e kredive vlera më e lartë është akorduar për individët është BKT, ku në fund të vitit 2023 raporti ishte 49 miliardë përkundrejt rreth 47 miliardë për bizneset. Raiffeisen rezulton të jetë banka me portofolin më të lartë në vlerë për segmentin retail, 54.5 miliardë lekë në fund të vitit 2023, por përsëri në raport me kredinë për biznesin akorduar nga kjo bankë rezulton me vlerë më të ulët. /Ekofin.al
