Shqipëria dhe Kosova hedhin një tjetër hap drejt integrimit të tregjeve të punës. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare i Republikës së Kosovës, Andin Hoti, nënshkruan në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi që synon të lehtësojë punësimin e qytetarëve të dy vendeve, të rrisë mobilitetin e fuqisë punëtore dhe të forcojë zhvillimin e kapitalit njerëzor.
Marrëveshja krijon një kuadër të përbashkët bashkëpunimi mes institucioneve përgjegjëse për punësimin dhe formimin profesional, duke synuar shkëmbimin e informacionit, praktikave më të mira dhe rritjen e kapaciteteve institucionale. Objektivi është që qytetarët dhe bizneset në të dy vendet të përfitojnë nga një treg pune më i integruar dhe nga shërbime më efikase në fushën e punësimit.
Ministrja Delina Ibrahimaj e cilësoi marrëveshjen si një instrument konkret që afron edhe më shumë Shqipërinë dhe Kosovën në politikat e tregut të punës.
“Kjo është një marrëveshje që lehtëson qytetarët në të dy anët e Kombit, duke hapur më shumë mundësi për punësim dhe zhvillim profesional”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas saj, bashkëpunimi do të kontribuojë në afrimin e tregjeve të punës, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe mbështetjen e bizneseve që kanë nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar. Në kushtet kur të dy ekonomitë përballen me mungesë të punonjësve në sektorë të caktuar, marrëveshja synon të krijojë mekanizma më të koordinuar për ndërmjetësimin në punë dhe zhvillimin e aftësive profesionale.
Edhe ministri i Kosovës, Andin Hoti, vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm për krijimin e mundësive të reja për qytetarët e të dy vendeve, duke theksuar se ajo do të mundësojë akses më të madh në programet e punësimit dhe aftësimit profesional.

