Shqipëria po avancon me ritme të shpejta në modernizimin e infrastrukturës së komunikimeve elektronike, ndërsa zgjerimi i rrjeteve 5G dhe përafrimi i legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian mbeten prioritetet kryesore të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Këto ishin disa nga mesazhet kryesore të raportimit që kreu i AKEP, Gentian Sala, bëri në Komisionin Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, ku prezantoi veprimtarinë e institucionit për vitin 2025.
Sipas Salës, zhvillimi i rrjeteve me kapacitet shumë të lartë, veçanërisht teknologjia 5G, konsiderohet një investim strategjik për ekonominë shqiptare, pasi lidhet drejtpërdrejt me rritjen e produktivitetit, transformimin digjital të shërbimeve publike dhe rritjen e konkurrueshmërisë së vendit.
AKEP ka ndërmarrë një sërë masash për të përshpejtuar investimet në rrjetet 5G, duke bashkëpunuar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkinë e Tiranës, ARRSH, AZHT, OSHEE dhe operatorët celularë për të lehtësuar procedurat administrative për ndërtimin e stacioneve bazë dhe shtrirjen e fibrës optike. Paralelisht, autoriteti ka monitoruar zbatimin e detyrimeve të operatorëve për mbulimin me 5G të zonave me rëndësi strategjike, si aeroportet, portet, zonat turistike, rrugët kombëtare dhe tunelet.
Një tjetër tregues i rëndësishëm lidhet me rrjetet ekzistuese celulare. Sipas raportimit, mbulimi me rrjet 4G ka arritur në rreth 97% të territorit të Shqipërisë dhe praktikisht 100% të popullsisë, ndërsa operatorët vijojnë investimet edhe për përmirësimin e cilësisë së rrjeteve 2G dhe 4G. AKEP ka realizuar monitorime të vazhdueshme të cilësisë së shërbimit, si përmes planit të monitorimit, ashtu edhe në bazë të ankesave të qytetarëve dhe institucioneve.
Në planin legjislativ, Gentian Sala theksoi se gjatë vitit 2025 janë miratuar 12 akte rregullatore, ndërsa tre të tjera janë në proces miratimi dhe pesë akte të reja po hartohen me asistencë ndërkombëtare. Objektivi është harmonizimi i plotë i kuadrit ligjor shqiptar me legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Evropian, në zbatim të ligjit të ri për komunikimet elektronike.
AKEP raportoi gjithashtu se ka përmbushur ose ka në fazë përfundimtare 10 nga 11 rekomandimet e lëna nga Kuvendi për vitin 2025, ndërsa procesi i konsultimit publik është kthyer në një praktikë të detyrueshme për hartimin e çdo akti rregullator.
Një nga sfidat që mbetet ende e pazgjidhur është lirimi i brezit të frekuencave 700 MHz, i njohur si Digital Dividend 2 (DD2), i cili vazhdon të përdoret nga transmetimet audiovizive. Sala bëri të ditur se me urdhër të Kryeministrit është ngritur një grup ndërinstitucional pune dhe është përgatitur një projektligj që synon përfundimin e migrimit brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Lirimi i këtij brezi konsiderohet thelbësor për zgjerimin e mëtejshëm të rrjeteve 5G.
Raporti evidentoi edhe rritjen e përdorimit të internetit në Shqipëri. Në fund të vitit 2025, rreth 2.1 milionë abonentë përdornin internet celular, ndërsa trafiku i të dhënave u rrit me mbi 16% krahasuar me një vit më parë. Edhe interneti broadband fiks vijoi zgjerimin, me rreth 733 mijë abonentë dhe një depërtim që arrin në 97% të familjeve shqiptare, ku 75% e lidhjeve tashmë realizohen përmes fibrës optike.
Në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, AKEP raportoi një ulje me 59% të ankesave për komunikimet elektronike gjatë vitit 2025. Institucioni ka miratuar rregullore të reja për portabilitetin e numrit, përmbledhjen e kontratës dhe internetin e hapur, ndërsa operatorët janë angazhuar të ofrojnë paketa më ekonomike për pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët me të ardhura të ulëta, si edhe të ulin tarifën standarde të thirrjeve për përdoruesit me parapagesë nga 39 në 29 lekë për minutë.
Një tjetër projekt i rëndësishëm i prezantuar nga AKEP është nisma kombëtare për eliminimin e kabllove ajrore dhe kalimin e tyre në infrastrukturë nëntokësore. Pas konsultimeve me institucionet qendrore, bashkitë dhe operatorët, zbatimi në terren pritet të nisë gjatë muajit shtator, me synimin për të përmirësuar sigurinë, administrimin e rrjeteve dhe estetikën urbane.
Për vitin 2026, prioritetet e AKEP përfshijnë përfundimin e akteve nënligjore të mbetura, harmonizimin e plotë të legjislacionit me BE-në, përgatitjen për integrimin në zonën evropiane të roaming-ut, zbatimin e rregullave të reja për rrjetet me kapacitet shumë të lartë dhe Aktin për Shërbimet Digjitale (DSA), si dhe vijimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe menaxhimin më efikas të burimeve të spektrit dhe numeracionit. /ekofin.al

