Nga Mirilda Tili
Projektligji i ri “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” po shihet si një nga reformat më të rëndësishme fiskale të viteve të fundit. Qeveria synon të krijojë një sistem modern të vlerësimit të pronave, të ndërtojë Kadastrën Fiskale dhe të rrisë të ardhurat vendore. Por, ekspertët e sektorit paralajmërojnë se suksesi i reformës do të varet më shumë nga mënyra e zbatimit sesa nga vetë filozofia e ligjit.
Të kontaktuar nga Ekofin.al, drejtori ekzekutiv i NAREA, Reinaldo Pipiria, dhe ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme Arbër Brahaj, analizojnë projektligjin nga këndvështrime të ndryshme. Të dy ekspertët e pronave bien dakord se drafti aktual kërkon qartësime të rëndësishme përpara se të hyjë në fuqi.
Vlerësimi i pronës, “zemra” e reformës
Për Reinaldo Pipiria, suksesi i gjithë reformës matet nga një element: sa i saktë do të jetë vlerësimi i pronës. “Drejtësia këtu nuk është thjesht fjalë. Ajo matet. Ose vlerësimi për pasurinë e paluajtshme e pasqyron tregun real të zonës, ose jo.”
Sipas tij, problemi nuk qëndron tek parimi i reformës, por tek cilësia e të dhënave mbi të cilat do të ndërtohet sistemi.
“Pjesa e vështirë s’është parimi. Është numri. Çdo vlerësim është aq i mirë sa të dhënat e tregut që qëndrojnë pas tij dhe ato duhet të jenë të freskëta, jo tre vjet të vjetra.”
Në të njëjtën linjë është edhe Arbër Brahaj, por ai e sheh problemin nga një kënd më praktik.Sipas tij, projektligji nuk sqaron mbi cilën bazë do të llogaritet vlera fiskale e pronës.
“Problemi kryesor është vlera e pronës. Nuk përcaktohet qartë nëse ajo do të bazohet në vlerën e kartelës së pasurisë apo në hartat e zonave.”
Brahaj kujton se një pjesë e madhe e kartelave të pronave në Shqipëri rezultojnë ende me vlera simbolike ose edhe zero, çka sipas tij e bën pothuajse të pamundur një llogaritje të drejtë të taksës.
Ekspertët: Të dhënat e sakta, kyçe për taksim të drejtë
“Pa të dhëna të sakta nuk mund të ketë taksim të drejtë”, shprehen si Pipiria, ashtu edhe Brahaj. Pipiria argumenton se tregu shqiptar ka karakteristika specifike që nuk mund të kopjohen nga modele të huaja. “Tregu shqiptar ka sjelljen e vet: çmime informale, hendekun mes vlerës së deklaruar dhe asaj reale. Një sistem që nuk i kupton këto, i nxjerr numrat gabim.”
Edhe Brahaj vëren se, në mungesë të një databaze të besueshme, bashkitë do të detyrohen të vazhdojnë të përdorin hartat ekzistuese të vlerës së zonave, ashtu si edhe sot.
Teknologjia apo eksperti?
Një tjetër pikë interesante është mënyra e vlerësimit të pronës.
Pipiria mbështet përdorimin e modeleve statistikore, por vetëm aty ku ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme. “Një model statistikor është i shkëlqyer aty ku ka shumë shitje për t’u krahasuar. Por për një pronë në një fshat të thellë ose për një objekt unik, të dhënat nuk ekzistojnë. Atje duhet një vlerësues i licencuar. Teknologjia dhe vlerësuesi nuk konkurrojnë, por plotësojnë njëri-tjetrin.”
Edhe pse nuk e trajton drejtpërdrejt këtë aspekt, Brahaj arrin në të njëjtin përfundim praktik: pa informacion të plotë dhe pa akses në të dhënat e ASHK-së, asnjë sistem automatik nuk mund të funksionojë.
Kadastra Fiskale, sfida më e madhe
Nëse ka një pikë ku dy ekspertët janë pothuajse plotësisht në një linjë, ajo është Kadastra Fiskale. Për Brahajn, këtu ndodhet edhe rreziku më i madh i projektligjit. “Bashkitë nuk kanë mundësi të krijojnë një bazë të dhënash. Problemi ka dështuar edhe në vitet 2008, 2011 dhe 2019 pikërisht sepse ASHK-ja nuk është e detyruar të ndajë informacionin me bashkitë.”
Ai shpreh gjithashtu shqetësimin për mundësinë që bashkitë të kontraktojnë kompani private për vlerësimin e pronave.
“Kjo krijon hapësira shumë të mëdha për abuzim, pasi procesi mund të kalojë përmes tenderëve.”
Nga ana tjetër, Pipiria kërkon që Kadastra Fiskale të ndërtohet mbi metodologji transparente dhe të dhëna të përditësuara.
“Ligji thotë se metodologjia miratohet më vonë. Aty është zemra e gjithçkaje. Ajo duhet të jetë transparente, e bazuar te të dhënat dhe e ndërtuar me kontributin e vlerësuesve të licencuar.”
Pabarazia në taksim
Një nga kritikat më të forta të Arbër Brahajt lidhet me mënyrën si mund të taksohen prona identike. Ai sjell shembullin e dy apartamenteve të njëjta, të blera në periudha të ndryshme. “Dy pasuri identike mund të paguajnë taksa të ndryshme vetëm për shkak të momentit kur është fituar pronësia. Kjo cenon parimin kushtetues të barazisë para ligjit.”
Pipiria argumenton se drejtësia fiskale lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e vlerësimit. “Objektivi fiskal i reformës arrihet vetëm nëse vlerësimet janë të sakta. Të dhëna të dobëta nuk sjellin vetëm padrejtësi, por edhe humbje të ardhurash dhe rritje të informalitetit.”
Mbrojtja e qytetarit
Një tjetër element ku Pipiria vendos theks të veçantë është transparenca. “Kur një qytetar e kundërshton vlerën e pronës së tij, përgjigjja nuk mund të jetë thjesht ‘kështu thotë sistemi’.”
Ai kërkon që çdo qytetar të ketë mundësi të marrë një vlerësim të pavarur profesional. “Pronari ka të drejtë të pyesë pse taksa ime është kaq dhe të marrë një përgjigje të vërtetë. Nëse vlerësimi është një kuti e zezë, sistemi do të përmbytet nga ankimet.”
Brahaj, nga ana tjetër, përqendrohet më shumë te boshllëqet juridike, duke ngritur shqetësimin për bashkëpronësinë, trajtimin e banesës së parë dhe të dytë, si edhe përjashtimet fiskale për kompanitë shtetërore dhe hotelet me katër e pesë yje.
Ku ndahen ekspertët?
Reinaldo Pipiria e sheh reformën kryesisht nga këndvështrimi i metodologjisë së vlerësimit, cilësisë së të dhënave, transparencës dhe mbrojtjes së taksapaguesit. Për të, nëse këto elemente ndërtohen si duhet, sistemi mund të funksionojë.
Arbër Brahaj, në të kundërt, është më skeptik për zbatimin praktik. Ai argumenton se pa një databazë funksionale, pa detyrim ligjor që ASHK-ja të ndajë informacionin me bashkitë, pa një sistem të konsoliduar adresash dhe pa zgjidhjen e çështjeve të bashkëpronësisë, ligji rrezikon të përballet me të njëjtat probleme që kanë penguar përpjekjet e mëparshme për ndërtimin e Kadastrës Fiskale.
“Reforma është e domosdoshme, por nuk mund të mbështetet vetëm te ndryshimet ligjore. Pa metodologji të qartë, të dhëna të sakta dhe kapacitete reale për zbatim, objektivi për një sistem modern dhe të drejtë të taksimit të pronës mbetet ende një sfidë.” Kyështë konkluzioni i të dy ekspertëve të pasurive të paluajtshme. /ekofin.al

