Në Shqipëri, mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një problem serioz për bizneset, duke i detyruar një pjesë prej tyre të shohin tregjet e vendeve të largëta. Edhe shifrat e fundit, të publikuara nga INSTAT sugjerojnë për një rritje të aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri.
Shtetet “e preferuara” janë Filipinet e Bangladeshi, në rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2022. Por, tashmë shumë shpejt do të kemi edhe marrëdhënie me këto vende. Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, kryeministri Edi Rama deklaroi se, ashtu si shumica e vendeve të Bashkimit Europian, edhe Shqipëria do të rrisë praninë e saj në këto vende, por edhe në Afrikë.
“Kemi arsye të qenësishme jo vetëm për të besuar, por edhe për të investuar në hapjen e dyerve të misioneve tona të reja, qoftë në Indonezi, për të mbuluar gjithë atë pellg atje. Me Indonezinë kemi vendosur një marrëdhënie që ka një potencial shumë të madh dhe mbi të gjitha që ka një interes shumë të madh për ne, ashtu si dhe marrëdhëniet me Filipinet, pasi të gjitha vendet e Bashkimit Europian sot, janë duke trokitur në ato dyer për forca të reja pune dhe kjo marrëdhënie shumë e rëndësishme. Dhe po ashtu, në Afrikë jemi krejtësisht të munguar dhe po unë besoj që është e drejtë që të hapim derën e parë në Kenia. Na duhet për shumë arsye, por edhe në mos për të tjera, për një arsye të thjeshtë fare që është dhe detyra që ne kemi dhe roli që ne kemi për të mbështetur formësimin përfundimtar të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Bizneset ndodhen nën presion edhe për rritjen e pagave të punonjësve, pikërisht për shkak të mungesës së tyre. Edhe marrja e punonjësve nga vendet e huaja, ka kosto, pasi ndryshe nga vendasit, të huajve u duhen paguar edhe kostot e strehimit dhe ushqimit.
