Qeveria ka përcaktuar procedurat dhe afatet që do të ndiqen për pezullimin apo revokimin e licencave të subjekteve që ushtrojnë aktivitetin e lojërave të fatit në kategorinë “Baste sportive on-line”.
Kur mund të pezullohet ose revokohet licenca
Licenca mund të pezullohet ose revokohet nëse organizatori nuk përmbush më kriteret bazë të licencimit pas marrjes së licencës, nuk ngurtëson fondet e garancisë, përsërit shkeljet e parashikuara në ligj, nuk shlyen detyrimet ndaj AMLF-së ose ndaj fituesve të lojës, apo kryen shkelje që ligji i lidh drejtpërdrejt me revokimin e licencës.
Në rastin kur subjekti nuk shlyen detyrimet ndaj AMLF-së ose fituesve, procedura mund të vijojë pas një pezullimi fillestar 30-ditor të veprimtarisë.
Pezullimi mund të zgjasë deri në 2 vjet
Sipas vendimit, pezullimi i licencës jepet për një periudhë nga 30 ditë deri në përmbushjen e kritereve dhe kushteve për të cilat është marrë masa, por në çdo rast jo më shumë se 2 vjet.
Gjatë periudhës së pezullimit, organizatori nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e licencuar dhe duhet të marrë masat për të përmbushur kushtet e përcaktuara në urdhrin e ministrit. Subjekti është gjithashtu i detyruar të raportojë pranë AMLF-së.
AMLF monitoron organizatorin gjatë kohës së pezullimit ose revokimit, përmes verifikimeve në vend dhe monitorimit me mjete teknologjike.
Shkeljet e përsëritura: hera e dytë pezullim, hera e tretë revokim
Vendimi parashikon masa më të forta kur shkeljet përsëriten. Nëse organizatori kryen për herë të dytë të njëjtën shkelje ose grup shkeljesh brenda një periudhe 3-vjeçare, inspektori i AMLF-së mund të nisë procedurën për pezullimin e licencës.
Nëse e njëjta shkelje ose grup shkeljesh përsëritet për herë të tretë brenda 3 viteve, mund të iniciohet procedura për revokimin e licencës.
Vendimi nuk përcakton vlera konkrete të gjobave, por procedura lidhet me gjobat e vendosura nga AMLF. Kur plotësohen kriteret për gjobë për herë të dytë ose të tretë, inspektori i AMLF-së ia dërgon praktikën titullarit të institucionit brenda 10 ditëve nga njoftimi i gjobës. Më pas, titullari i AMLF-së ka 10 ditë për t’ia përcjellë praktikën Komisionit të Licencave.
Ankimi në gjykatë ndaj gjobave të vendosura nga AMLF nuk e ndalon procedurën për pezullimin ose revokimin e licencës, përveç rasteve kur gjykata ka vendosur masë sigurimi padie.
Kur fondi i garancisë nuk ngurtësohet
Vendimi parashikon gjithashtu fondin e garancisë. Nëse subjekti fitues i licencës nuk e ngurtëson fondin brenda afatit 30-ditor, Komisioni i Licencave nis procedurën për pezullim dhe revokim licence. Kjo procedurë duhet të shqyrtohet brenda 20 ditëve nga përfundimi i afatit 30-ditor. Nëse gjatë shqyrtimit konstatohet se shkelja është korrigjuar, procedura mbyllet pa veprime të mëtejshme.
E drejta për t’u dëgjuar dhe ankimi në gjykatë
Në çdo rast, organizatori i licencuar njoftohet për fillimin e procedurës dhe ka të drejtë të marrë pjesë vetë ose përmes përfaqësuesit në seancën dëgjimore. Megjithatë, mosparaqitja e subjektit nuk e ndalon vijimin e shqyrtimit.
Organizatori ka të drejtë të ankimojë në gjykatë urdhrin e pezullimit ose revokimit, sipas legjislacionit në fuqi. Por urdhri i pezullimit ose revokimit zbatohet pavarësisht sanksioneve të tjera administrative që mund të merren ndaj subjektit. /ekofin.al

