Këshilli i Ministrave miratoi sot dy projektvendime që lidhen me procesin e integrimit evropian, rritjen e transparencës në menaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe mbështetjen e nxënësve të arsimit profesional.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se projektvendimi i parë është pjesë e reformave të përcaktuara në agjendën e integrimit evropian.
“Ky është një projektvendim që lidhet me reformën e agjendave, një plan i përcaktuar ku kemi detyrime çdo gjashtë muaj për miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore që i përkasin procesit të integrimit evropian. Këto reforma lidhen me fondet që Bashkimi Evropian i akordon Shqipërisë në bazë të përmbushjes së objektivave të vendosura”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, vendimi synon të rrisë transparencën dhe të përmirësojë mënyrën e menaxhimit të shoqërive shtetërore.
“Me këtë projektvendim, bordet e shoqërive 100% shtetërore do të kenë përfaqësues të pavarur, jo pjesë të administratës publike dhe jo përfaqësues politikë. Anëtarët e bordeve do të përzgjidhen nga komitete të përhershme, ku edhe aty do të ketë përfaqësues të pavarur në procesin e përzgjedhjes”, u shpreh Ibrahimaj.
Ibrahimaj njoftoi gjithashtu se, në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit, u miratua një projektvendim për mbështetjen e nxënësve të arsimit profesional.
“Me këtë vendim rrisim masën e bursave për të gjithë nxënësit e shkollave profesionale, ndërsa i hapim rrugë edhe zbatimit të programit qeveritar për ushqimin në shkolla”, tha Ibrahimaj.

