Kuvendi pritet të miratojë në seancë plenare rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2025, duke përcaktuar një axhendë ambicioze reformash dhe prioritetesh për vitin 2026. Dokumenti, të cilin e disponon ekofin.al, vendos në qendër të vëmendjes përshpejtimin e procesit të përafrimit të tregjeve financiare jobankare me standardet e Bashkimit Evropian, forcimin e mbikëqyrjes prudenciale, rritjen e mbrojtjes së konsumatorëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të sigurimeve, pensioneve private dhe tregut të kapitaleve.
Rezoluta i kërkon AMF-së të avancojë me paketën e re ligjore në sektorin e sigurimeve sipas standardeve Solvency II, të përgatisë tregun për zbatimin e standardit ndërkombëtar të raportimit financiar SNRF 17, të përshpejtojë ngritjen e mekanizmave për mbrojtjen e investitorëve dhe zhvillimin e tregut të kapitaleve, si dhe të forcojë kontrollin mbi fondet e investimit, asetet virtuale dhe subjektet e tjera të mbikëqyrura. Po ashtu, Kuvendi kërkon më shumë transparencë institucionale, rritje të kapaciteteve njerëzore e teknologjike, investime në sigurinë kibernetike dhe një rol më aktiv të Autoritetit në edukimin financiar të qytetarëve dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Projektrezoluta për AMF
- Të përshpejtojë procesin e hartimit dhe miratimit të paketës së re ligjore në sektorin e sigurimeve, duke siguruar koordinim të plotë ndërmjet ligjit të ri “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, kuadrit për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në sigurime dhe ligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, në funksion të përafrimit të legjislacionit vendas me Direktivën 2009/138/EC “Solvency II”, Direktivën (BE) 2016/97 për shpërndarjen e sigurimeve, Direktivën 91/674/EEC për raportimin financiar të shoqërive të sigurimit, Direktivën (BE) 2025/1 për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në sigurime, si dhe Direktivën 2009/103/EC të ndryshuar me Direktivën (BE) 2021/2118 për sigurimin e detyrueshëm motorik, me qëllim krijimin e një kuadri të integruar prudencial dhe mbikëqyrës të harmonizuar me acquis të Bashkimit Evropian, si dhe përcaktimin e qartë të afateve të zbatimit, masave tranzitore dhe kërkesave të reja prudenciale për tregun.
- Të avancojë zbatimin e udhërrëfyesit për përafrimin me regjimin Solvency II, duke kaluar gradualisht nga ushtrimet teknike dhe vlerësimet sasiore drejt përcaktimit të kërkesave konkrete për kapitalin, menaxhimin e riskut, qeverisjen e brendshme, raportimin dhe testet e rezistencës, si dhe duke rritur transparencën mbi rezultatet e ushtrimeve të zhvilluara, problematikat e evidentuara në treg dhe ndikimin e pritshëm të reformës mbi aftësinë paguese dhe qëndrueshmërinë financiare të shoqërive të sigurimit.
- Të forcojë kapacitetet institucionale dhe teknike për zbatimin e regjimit të ri prudencial, nëpërmjet investimeve në sistemet e raportimit dhe analizës së riskut, trajnimit të specializuar të stafit mbikëqyrës dhe rritjes së bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare dhe autoritetet homologe evropiane, me qëllim garantimin e një tranzicioni efektiv dhe të qëndrueshëm të tregut shqiptar të sigurimeve drejt standardeve të Bashkimit Evropian.
- Të përgatisë tregun për zbatimin e SNRF 17, përmes kërkesës për plane konkrete implementimi nga shoqëritë e sigurimit, përcaktimit të kalendarëve të raportimit dhe monitorimit periodik të gatishmërisë së tregut, duke adresuar në kohë mangësitë që lidhen me sistemet IT, cilësinë e të dhënave, kapacitetet aktuariale, metodologjitë e vlerësimit dhe standardet e raportimit financiar, me synim rritjen e transparencës, krahasueshmërisë dhe cilësisë së pasqyrave financiare të tregut të sigurimeve.
- Të nxisë zhvillimin e produkteve vullnetare në segmentet e sigurimit të pasurisë, jetës, shëndetit, bujqësisë dhe mbrojtjes ndaj katastrofave natyrore, duke analizuar praktikat dhe modelet më të mira ndërkombëtare për mbulimin e riskut katastrofik dhe riskut sizmik, si dhe duke përgatitur masa dhe instrumente konkrete për rritjen e penetrimit të këtyre produkteve në treg, forcimin e edukimit financiar dhe mbrojtjen e konsumatorit.
- Të ndërmarrë masa konkrete për zhvillimin e tregut të kapitaleve dhe diversifikimin e instrumenteve financiare, duke përshpejtuar krijimin dhe funksionalizimin e Skemës së Kompensimit të Investitorëve, në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, si një mekanizëm thelbësor për rritjen e mbrojtjes së investitorëve dhe besimit në treg.
- Të vijojë punën për hartimin e ligjit të ri “Për tregjet e kapitalit” dhe akteve përkatëse nënligjore, në kuadër të përafrimit të legjislacionit vendas me acquis të Bashkimit Evropian për tregjet e kapitalit dhe infrastrukturat financiare, përfshirë Direktivën MiFID II, kuadrin prudencial IFD/IFR për shoqëritë e investimit, Rregulloren CSDR për depozitarët qendrorë të titujve dhe Rregulloren EMIR për derivativët, kundërpalët qendrore dhe regjistrat e transaksioneve, si dhe të finalizojë kuadrin për obligacionet e mbuluara, me synim zgjerimin e instrumenteve financiare, forcimin e sigurisë dhe eficiencës së infrastrukturave financiare, përmirësimin e mbrojtjes së investitorëve dhe krijimin e alternativave më të zhvilluara të financimit për ekonominë shqiptare.
- Të avancojë në miratimin e projektligjit “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” dhe projektligjit “Për administruesit e fondeve të investimeve alternative”, në funksion të përafrimit të kuadrit ligjor dhe rregullator me acquis të Bashkimit Evropian për fondet e investimit dhe administrimin e aseteve, si dhe njëkohësisht të forcojë mbikëqyrjen e këtij segmenti përmes rritjes së kapaciteteve për monitorimin e riskut, likuiditetit, transparencës dhe produkteve të reja financiare, me qëllim garantimin e stabilitetit të sektorit dhe rritjen e mbrojtjes së investitorëve.
- Të avancojë me ndryshimet në ligjin kuadër të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe paraqitjen e tyre në Kuvend, me qëllim përafrimin e kuadrit të funksionimit dhe qeverisjes së Autoritetit me standardet dhe praktikat e autoriteteve homologe mbikëqyrëse financiare, në përputhje me rekomandimet e IAIS dhe audituesit të pavarur, duke përfshirë rishikimin e mënyrës së përllogaritjes së fondit rezervë, administrimin e suficitit financiar, si dhe politikat e paspunësimit për stafin dhe drejtuesit, në funksion të forcimit të pavarësisë institucionale, integritetit, transparencës dhe shmangies së konfliktit të interesit.
- Të konsolidojë modelin e mbikëqyrjes me bazë rreziku, përmes forcimit të analizës off-site, instrumenteve të paralajmërimit të hershëm dhe monitorimit të treguesve prudencialë, si dhe të rrisë mbulimin dhe frekuencën e inspektimeve në vend, veçanërisht në segmentet me mbikëqyrje më të kufizuar gjatë vitit 2025, përfshirë ndërmjetësit në sigurime, fondet alternative të investimit, subjektet e tregut të kapitalit dhe aktivitetet e lidhura me asetet virtuale, duke forcuar njëkohësisht kontrollin në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit dhe parandalimit të pastrimit të parave.
- Të forcojë kontrollin mbikëqyrës mbi Fondin e Kompensimit dhe Byronë Shqiptare të Sigurimit, me synim uljen e mëtejshme të stokut të dëmeve pezull, ndjekjen e detyrimeve të prapambetura dhe interesave të papaguara, rritjen e frekuencës së verifikimeve dhe përmirësimin e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim dhe kohës së pagesës ndaj qytetarëve.
- Të rrisë transparencën institucionale dhe llogaridhënien publike në procesin vendimmarrës të Bordit, duke publikuar në mënyrë të plotë aktet rregullatore të miratuara dhe ndryshimet përkatëse si dhe vendimet për marrjen e masave administrative dhe korrigjuese, duke evidentuar votimin individual të anëtarëve të Bordit dhe rastet e përjashtimit nga vendimmarrja për shkak të konfliktit të interesit, në zbatim të nenit 22 të ligjit organik.
- Të forcojë rolin e AMF-së në koordinimin ndërinstitucional për stabilitetin financiar dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke rritur shkëmbimin e informacionit me institucionet partnere dhe monitorimin e ekspozimeve të subjekteve të mbikëqyrura ndaj rreziqeve të lidhura me integritetin financiar dhe sanksionet ndërkombëtare.
- Të përmirësojë kapacitetet institucionale dhe administrative në funksion të procesit të integrimit evropian dhe rritjes së kompleksitetit të mbikëqyrjes, duke plotësuar vakancat ekzistuese, duke përmirësuar politikat e rekrutimit dhe zhvillimit profesional, si dhe duke garantuar që struktura e re organizative të shoqërohet me rritje reale të kapaciteteve teknike dhe jo vetëm me ndryshime formale organizative.
- Të intensifikojë investimet në digjitalizim, siguri kibernetike dhe qëndrueshmëri operacionale, në përputhje me standardet dhe zhvillimet e reja teknologjike, duke garantuar mbrojtjen e infrastrukturës institucionale dhe vazhdimësinë e funksioneve kritike mbikëqyrëse.
- Të ndërmarrë masa për rritjen e edukimit financiar dhe ndërgjegjësimit publik në tregjet financiare jobankare, me fokus të veçantë në pensionet private, fondet e investimit dhe produktet e sigurimit me komponent investimi, duke kaluar nga aktivitetet sporadike informuese drejt programeve të strukturuara, të matshme dhe të vazhdueshme të edukimit financiar.
- Të monitorojë strukturën e investimeve të shoqërive të sigurimit, me fokus rreziqet që burojnë nga përqendrimi i lartë në pasuri të paluajtshme, duke nxitur diversifikimin e portofolit drejt instrumenteve të tjera financiare, në përputhje standardet ndërkombëtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tregut financiar.
- Deri në fund të vitit 2026, të kryejë një analizë të plotë të zbatimit dhe efektivitetit të Rregullores nr. 156/2024 “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, duke e krahasuar atë me praktikat më të mira të vendeve të Bashkimit Evropian. Mbi bazën e rezultateve të analizës, të synojw përmirësimin e përllogaritjes së primit dhe forcimin e funksionimit të sistemit bonus–malus.
- Të monitorojë në mënyrë periodike zbatimin e marrëveshjes për shkëmbimin e informacionit në tregun e sigurimeve TPL/MTPL, duke verifikuar funksionimin korrekt të sistemit të shkëmbimit të informacionit, raportimin në kohë reale të policave dhe primeve të sigurimit, si dhe përdorimin e informacionit vetëm për qëllimet e parashikuara në marrëveshje, në funksion të rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së interesave të konsumatorëve.

