Shqipëria paraqitet në një pozicion të dyfishtë në hartën rajonale të teknologjive të avancuara dhe prodhimit të gjelbër. Në teknologjitë e avancuara, si inteligjenca artificiale, robotika, sensorët dhe sistemet e avancuara digjitale, vendi mbetet ende në fazë të hershme. Por në prodhimin e gjelbër, i lidhur me energjinë e rinovueshme, ekonominë qarkulluese dhe përdorimin më të pastër të burimeve, Shqipëria shihet si një nga vendet me bazë më të favorshme në rajon.
Sipas raportit të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit të vitit 2026, Shqipëria vlerësohet me 2 nga 5 pikë për ekosistemin deep-tech (teknologjitë e avancuara). Kjo tregon se vendi përballet me kufizim të ndjeshëm në zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit dhe nismat për kërkim shkencor.
Në rajon, Serbia vlerësohet me 5 nga 5 pikë dhe konsiderohet ekonomia më e fortë në rajon për këtë teknologji, falë instituteve si BioSense, Institutit të Inteligjencës Artificiale dhe disa parqeve shkencore-teknologjike. Maqedonia e Veriut renditet gjithashtu më lart se Shqipëria, me 4 nga 5 pikë, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi vlerësohen me nga 3 pikë. Kosova, ashtu si Shqipëria, mbetet në nivelin 2 nga 5 pikë për këtë fushë.
Por rezultati përmbyset me prodhimin e gjelbër. Shqipëria vlerësohet me 5 nga 5 pikë në këtë drejtim, kryesisht për shkak të bazës së fortë në energjinë e rinovueshme, ku prodhimi i energjisë mbështetet pothuajse plotësisht te hidrocentralet. Raporti përmend edhe zhvillimin e projekteve diellore dhe nismat e para në ekonominë qarkulluese e menaxhimin e mbetjeve. Në këtë tregues, Shqipëria qëndron më mirë se Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, të cilat vlerësohen me nga 4 pikë, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë nga 3 pikë. Kosova mbetet më poshtë, me 2 pikë, për shkak të varësisë së lartë nga qymyri.
Për Shqipërinë, raporti veçon disa aktorë të rëndësishëm në lidhjen mes teknologjisë dhe ekonomisë së gjelbër. Oficina Accelerator, TechSpace Tirana, EU4Innovation dhe Metropolitan Incubator përmenden si struktura që mbështesin nisma teknologjike, sipërmarrje të reja dhe projekte me orientim të gjelbër. TechSpace Tirana shihet si një nga pikat ku mund të ndërthuren teknologjia, materialet e qëndrueshme, ekonomia qarkulluese dhe paketimi ekologjik. EU4Innovation përmendet si një projekt që po ofron mbështetje të posaçme për green-tech, ndërsa TechSpace dhe ICTSlab lidhen me prototipimin elektronik.
Megjithatë, krahasimi me vendet e tjera tregon se Shqipëria nuk ka ende peshën kërkimore dhe industriale që kanë Serbia, Maqedonia e Veriut apo Bosnjë-Hercegovina. Serbia ka një ekosistem më të gjerë, me universitete të forta, institute kërkimore, parqe shkencore dhe lidhje më të mira me industrinë. Maqedonia e Veriut ka mekanizma më të konsoliduar mbështetjeje për inovacionin përmes INNOVA-s, ish-FITD, dhe një bazë më të dukshme në elektronikë, inteligjencë artificiale dhe prodhim të avancuar. Bosnjë-Hercegovina, edhe pse e fragmentuar në financim dhe qeverisje, ka një traditë më të fortë industriale në metalpunim, përpunim druri dhe komponentë automotive.
Kosova, nga ana tjetër, ka një skenë më dinamike start-up-esh, sidomos në ICT, por prodhimi i gjelbër është ende në fazë të hershme. Mali i Zi, megjithëse treg i vogël, paraqitet në raport si një rast interesant ku institucionet e inovacionit shpesh kombinojnë në të njëjtën hapësirë projekte teknologjike dhe projekte të gjelbra. Kjo e bën Malin e Zi një model të vogël, por më të integruar, për bashkimin e teknologjisë me qëndrueshmërinë.
Shqipëria ka disa pengesa kryesore që duhet t’i trajtojë. Raporti e përshkruan ekosistemin shqiptar si “emerging”, pra në zhvillim, me potencial, por ende jo të konsoliduar. Mungojnë kapacitete të forta kërkimi, laboratorë të avancuar, financim për fazat e hershme të teknologjive të reja dhe lidhje më të forta mes universiteteve, start-up-eve dhe industrive tradicionale. Universiteti Politeknik i Tiranës vlerësohet si institucioni kryesor kërkimor për inxhinieri, automatizim, materiale dhe prodhim, por krahasuar me universitetet e Beogradit, Novi Sadit apo UKIM në Shkup, kapaciteti kërkimor është më i kufizuar.
Sfida kryesore është që potenciali i gjelbër i Shqipërisë të lidhet më mirë me teknologjinë, kërkimin shkencor dhe industrinë, në mënyrë që vendi të mos mbetet vetëm prodhuese e energjisë së pastër, por të krijojë produkte dhe shërbime të reja me vlerë më të lartë në tregun rajonal dhe evropian. /ekofin.al


1 Comment
Pingback: Raporti rajonal: Shqipëria lider në ekonominë e gjelbër, në hapat e parë të deep-tech – Mjedisi Sot